PD: Kush denoncon korrupsionin hiqet nga puna
Partia Demokratike reagoi në një konferencë për shtyp për portalin e ngritur nga qeveria për të denoncuar korrupsionin. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, tha se kush denoncon korrupsionin, hiqet nga puna.
Deklarata
“Platforma on-line për anti- korrupsionin e Edi Ramës ndoshta vlen për të shtuar shpenzimet e qeverisë, por jo për të luftuar korrupsionin.
Shqiptarët e kuptojnë se çdo të thotë të luftohet korrupsioni me internet e rrjete virtuale, kur kryeministri heq nga puna pikërisht ata që e denoncojnë korrupsionin.
Edi Rama kishte në dorë, në 24 qershor, një ankesë konkrete, nga një punonjëse me përvojë e administrates që ai drejton, për një rast korruptiv që po bëhej nga Ministria e Erion Veliajt.
Luiza Gjonaj i drejtohet Edi Ramës ku i thotë se ka shkelje të rënda të ligjit në lidhje me një tender fiktiv, për blerjen e një malli që tashmë ekzistonte, dhe për më tepër firma EAG, e mirënjohur për publikun si kompania e vëllati të ministrit që fiton të gjithë tenderat, ishte shpallur ndërkohë fituese.
Cfarë bëri Edi Rama me këtë rast. Asgjë. Ankesa u arkivua, rasti abuziv i përvetësimit të fondeve publike u konsumua deri në fund. Korrupsioni nuk u ndal.
Në gusht, Edi Rama merr një tjetër letër nga Gjonaj. Ajo i shkruan kryeministrit, se pas denoncimit që ka bërë, po merr kërcënime dhe presione nga njerëzit e Erion Veliajt.
Çfarë bëri Edi Rama me ankesën e dytë. Asgjë. Nuk bëri asgjë sepse kryeministri kishte marrë në mbrojtje korrupsionin, dhe sigurisht nuk mund të mbronte denoncuesen e korrupsionit. Kishte bërë zgjedhjen e kundërt me atë që propagandon.
Dhe më në fund, në 24 dhjetor, nëpunësja që guxoi të denonconte korrupsionin, u largua nga puna.
Në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil, në kundërshtim me ligjin që ofron mbrojtje për ata që denoncojnë korrupsionin, Gjonaj u shkarkua nga puna.
Dy ligje u shkelen, ligji për nëpunësin civil, dhe ligji që nxit denoncimin e korrupsionit dhe ofron mbrojtje për denoncuesit, për të shkarkuar nga puna nëpunësen, e për të mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt.
Kjo është e vërteta e korrupsionit në vend.
Kur duhen masa konkrete, Edi Rama mbron korrupsionin dhe nxjerr në rrugë denoncuesit e tij. Ky është mesazhi për të gjithë. Nëse denonconi korrupsionin, do ta keni Edi Ramën nga pas derisa të hakmerret ndaj jush”.