PD përjashton Rudina Hajdarin: Nuk përfaqëson më Partinë Demokratike

Pas deklaratës së deputetes Rudina Hajdari se nuk do të dorëzonte mandatin dhe se nuk mbështet vendimin e Partisë Demokratike, ka ardhur reagimi zyrtar i selisë blu.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, në një reagim publik shprehet se me vendimin personal që ka marrë deputetja e PD, Rudina Hajdari nuk përfaqëson më demokratët. Ai thotë se Hajdari nuk është as anëtare e Këshillit Kombëtar të PD.

Deklarata e Gazmend Bardhit:

“Vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton! Në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike.

Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve.

Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar!”.

Vendimi i deputetes së PD, Rudina Hajdari për të mos respektuar vendimin politik të demokratëve për dorëzimin e mandatit të deputetes, nuk është mirëpritur nga selia blu. Menjëherë pas kësaj vendimmarrjeje, PD ka vendosur të heq emrin e Rudina Hajdarit si të deleguar në degën 11 në Tiranë dhe të vendos ish-deputetin Enkelejd Alibeaj.

Që nga viti 2013 kur mori mandatin e deputetes në Tiranë, Hajdari zhvillonte takime periodike me banorët e Laprakës në kryeqytet, të cilët i përkasin degës 11 të PD në Tiranë. Në takimin e zhvilluar nga kjo degë pasditen e sotme, qëndrimet politike të demokratëve janë mbajtur nga ish-deputeti Alibeaj.

Demokratët janë duke zhvilluar takime të përditshme në lidhje me organizimin e protestës së 16 marsit, e cila për kreun e PD, Lulzim Basha është cilësuar si një takim me historinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, deputetja e PD, Rudina Hajdari deklaroi se nuk dorëzoj mandatin e saj pasi vetëm në parlament beson se do të mund t’i shërbej interesave të vendit.

“Vendimi im ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe me ecurinë e demokracisë në vend. Unë mendoj se parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, u jep oksigjen partive politike, ai është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Duke marrë parasysh këtë përgjegjshmëri të lartë që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur dhe shërbimi më i duhur që do t’i bëja të ardhmes së Shqipërisë”, tha Hajdari.

SHKARKO APP