PD: Rama fut në burg qytetarët për një fjalë goje, ndërsa pushtetarët i lejon të shkelin ligjin
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama se po fut në burg qytetarët edhe për një fjalë goje, ndërsa pushtetarët i lejon të shkelin ligjin duke ndërtuar pa leje. Deputeti demokrat, Gert Bogdani tha se “ligji nuk vepron njësoj në Shqipëri me Edi Ramën. Kërbaci për qytetarët e pamundur, kulaci për miqtë e kryeministrit”
“Shqipëria sot, është një Shqipëri ku futet në burg qytetari dhe lejohet të shkelë ligjin sipas qejfit pushtetari. Arroganca e këtij pushteti ka arritur në atë pikë sa qytetarët dhunohen, u shkatërrohet prona dhe futen në burg deri për një fjalë goje, ndërkohe që miqtë e kryeministrit e deri ministrat e tij e shkelin ligjin pa pikën e përgjegjësisë. Ndërkohë që qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë u prishen shtëpitë dhe bizneset e ndërtuara me djersën e tyre, vetë kryeministri e nisi ditën e parë të punës duke ndërtuar pa leje, miqtë e tij ndërtojnë në mes të parkut të liqenit, deputeti buze detit, ndërsa ministri i tij ndërton pa leje në mes të Tiranës.”- deklaroi Bogdani.
“Veliaj si ministër i mirëqënies sociale apo i të ‘vobektëve’ siç i quan ai shqiptaret e ndershëm, e ka treguar disa herë deri tani arrogancën e pushtetit. Kësaj here e bën duke shkelur ligjin! Sepse si ministër dhe punonjës i shtetit duhet të ishte i pari që të zbatonte ligjin dhe jo të justifikohet. Për më tepër, nuk duhet të reklamoje me të madhe faktin që po nderton një qendër rinore, sepse vetëm me paratë që vëllai i vet ka fituar me tendera në 1 vit e gjysëm qeveri, mund të kishte ndërtuar jo një, por njëzet të tilla. Por me sa duket, ligji nuk vepron njësoj në Shqipëri me Edi Ramën. Kërbaci për qytetarët e pamundur, kulaçi për miqtë e kryeministri. Kjo është filozofia e qeverisjes dhe thelbi i saj. Shqipëria e rilindur nuk qenka e qytetarit, por e pushtetarit.”- përfundoi Bogdani.