PD: Raste ekstreme të faturimit të energjisë së komunitetit rom
Drejtuesi i departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Salinjani, vizitoi banorët dhe u shpreh se qeveria ka detyrimin të ofrojë një zgjidhje.
Zgjidhja sipas tij konsiston në dhënien e asistencës ligjore, vendosjes së sahatëve matës, dhe pagesës me këste të ulëta.
“Kam 31 milionë lekë fatura. Më kanë ardhur me 900 mijë, 600 mijë, 700 mijë në muaj. Kjo është e paarritshme”, u shpreh një banor duke u ankuar për faturat aforfe.
“I kërkojmë qeverisë që këto zona duhet të shikohen me prioritet dhe duhet të ketë diskriminim pozitiv, për shkak të situatës në të cilën ndodhen por edhe për shkak se komuniteti rom dhe egjiptian, janë një komunitet që ka problematikat dhe specifikat e veta. Duhet të vijnë dhe tu japin asistencë ligjore qytetarëve dhe t’u thonë se si bëhet kontrata e rregullta me Operatorin Shqiptar të Energjisë Elektrike. Qytetarët këtu janë të gatshëm të paguajnë, qeveria nuk u vjen. Qytetarët këtu janë të gatshëm të paguajnë, qeveria ua lë fëmijët në errësirë duke ua lënë pa shkollë, duke u hedhur mundin poshtë. Në vend që të progresojë të drejtat e njeriut, jemi në një regres të theksuar dhe po e çon poshtë e më poshtë këtë shoqëri. Çfarë do të bëjnë këta qytetarë të cilët i shohim që kanë banesa modeste, jetojnë në errësirë të plotë. A ju erdhi dhe ju premtoi parajsën? Ju ka sjellë ferrin. Ju tha që do t’u gjejë punë? A jua hap zyrat sot? E gjitha lagja këtu, me rreth 200 shtëpi, nuk harxhojnë energji as 1.5 milionë lekë sa ka harxhuar dhe vjedhur drejtori i OSHEE-së në Lushnjë. Atë e kanë bërë drejtor. Ka vjedhur 1.5 milionë lekë dhe e kanë bërë drejtor në Lushnjë të OSHEE-së. Ju që jeni fukarenj dhe që nuk keni mundësi ju vendosin faturim aforfe 500 mijë lekë në muaj”, tha Salianji.