PD riorganizon degët
Riorganizimi i degëve është bazuar në tri kritere themelore: 1) Popullata; 2) Organizimi sipas territorit administrativ; 3) Sensibilitetet komunitare
Partia Demokratike pritet të përfshihet në riorganizim tërësor të saj. Ajo do t’i nënshtrohet një ndarje të re të degëve, bazuar në disa kritere konkrete, për të cilat po punon grupi i punës i drejtuar nga sekretari organizativ në PD, Enno Bozdo.
Për ristrukturimin e ri të partisë ka folur dje edhe Arben Ristani. Ai pohoi se po përgatitet një draft i posaçëm, ku parashikohet ngritja e degëve të reja të partisë me qëllim kontrollin e territorit.
Edhe pse projekt-ideja është kundërshtuar paraprakisht nga disa krerë degësh, zyrtarët demokratë kanë evidentuar gjatë analizave të bëra në degë se struktura bazë e partisë që nga seksioni, grup-seksioni dhe dega ka nevojë rast pas rasti që të rishikohet.
Sipas hartuesve të këtij drafti është e nevojshme që të ndahen degët e mëdha në disa degë të tjera, me qëllim një riorganizim më të mirë të strukturës së partisë.
Edhe pse nuk ka ende një draft përfundimtar, deri më tash po shikohet mundësia e ndarjes se PD-së së Vlorës në tri degë të reja, ajo e Gjirokastrës në katër degë, Durrësi në tri degë dhe Elbasani në tri degë. Megjithatë, gjithçka është paraprake dhe se një draft përfundimtar për këtë çështje pritet që të ketë ditët në vijim.
Aktualisht PD-ja është e ndarë në 54 degë lokale, përfshirë këtu dhe 13 degët e Tiranës, të cilët përfshijnë të gjithë njësinë e re administrative të kryeqytetit. Ajo që dihet me siguri deri më tash është se riorganizimi i degëve është bazuar në tre kritere themelore: 1) Popullata; 2) Organizimi sipas territorit administrativ; 3) sensibilitetet komunitare.
Ndërkohë, mësohet se ka përfunduar edhe drafti për analizën e zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, formulimet dhe propozimet përfundimtare për përgjegjësitë nuk kanë dalë ende për t’ia paraqitur kryesisë së partisë e cila është parashikuar që të mbahet brenda këtij muaji.
Në dosjen e analizës përfshihet një raport përmbledhës, që analizon se si faktorë të jashtëm, si ndarja e re e pafavorshme territoriale dhe sjellja antidemokratike e qeverisë ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve.
Megjithatë, raporti nuk anashkalon përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mosfunksionimit të Partisë Demokratike.
Raporti nuk nxjerr përgjegjësi të strukturave të larta drejtuese në qendër, por sheh si problem sjelljen në bazë.
Megjithëse nuk përmenden se cilat degë ishin joefektive, apo patën konflikte mes kandidatëve potencialë, raporti i hartuar nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, vë në dukje se struktura bazë e partisë nuk funksionoi mirë gjate zgjedhjeve, duke ndikuar negativisht në rezultat.
Bashkangjitur kësaj dosjeje po punohet edhe për draftin tjetër, atë për riorganizimin e partisë, e cila do të rezonojë plotësisht me ato dege ku rezultati ishte i dobët e ku duhet më shumë efektivitet.
Për pasojë, shtimi i degëve po shihet si rruga më e mirë në funksion të një qasjeje të re organizative, por edhe një pune më të mirë me qëllim një rezultat më pozitiv zgjedhjet e ardhshme.
KOHA JONË SONDAZH

