PD: Votimi i sotëm në Kuvend, puç kushtetues
Kuvendi votoi sot me votat e PS dhe opozitës së blerë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Mënyra sesi kandidaturat u paraqitën në seancën është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të reja të reformës në drejtësi. Kuvendi i mori kompetencat kreut të shtetit, i cili sipas ligjit ka të drejtë të emërojë anëtarët në Gjykatën Kushtuese.
Ky akt i pashembullt i qeverisë “Rama” cilësohet nga PD si një puç kushtetues. Në emër të PD, sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi tha sot në një deklaratë për mediat se akti i sotëm i Kuvendit ka eleminuar garën dhe vë në pikëpyetje procedurat e reformës në drejtësi.
“Votimi nga Kuvendi i dy kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese është pjesë e puçit kushtetues të Edi Ramës kundër drejtësisë së pavarur nga politika. I gjithë procesi i kryer nga Kryetari i KED, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës, ka sjellë një produkt antikushtetues, që eleminoi garën dhe çoi në votim fiktiv nga Kuvendi. Afati 30 ditor për Presidentin nuk ekziston në Kushtetutë. Është alibi e ngritur nga Rama, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetutese”,- tha Gazmend Bardhi.
Duke akuzuar Ramën dhe kreun e KED, Bardhi shpjegoi se përse votimi i sotëm ishte anti ligjor. “Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin. Kjo do të thotë që për 1 vend në Gjykatën Kushtetutese, kishte vetëm 1 kandidat, dhe jo 3 siç e detyron Kushtetuta, duke paracaktuar anëtarët dhe duke e bërë votimim fikiv. Kjo është shkelja e parë e Kushtetutës ”,- tha Gazmend Bardhi.
Ai shtoi se “votimi i sotëm i Kuvendit është antikushtetues dhe i papranueshëm. Ai provoi që emërimet në Gjykatën Kushtetutese ishin të paracaktuara, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese”.
Lexoni edhe…
- Maliqi: Votimi i sotëm për Gjykatën Kushtetuese, një turp!
- Loja e pisët e PS për të kapur kushtetuesen
- Ylli Manjani: Turpi i “dashnorëve të reformës”!
- Vasili denoncon binomin mafioz: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi – Qeveri
- Rama kërkon të kontrollojë Kushtetuesen me dy juriste që nuk fituan dot Magjistraturën