PDIU: Dënojmë dhunën ndaj protestuesve, nxori haptazi fytyrën e një shteti policor
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me protestën sot në Shkodër dhe tubimeve në Tiranë, ku u regjistruan dhe episode dhune.
Teksa ka dënuar dhunën e përdorur ndaj protestuesve, të cilët shprehën revoltën e tyre pas vrasjes së Klodian Rashës, PDIU thekson se protesta e brezit të ri nxori haptazi fytyrën e një shteti policor.
Sipas kësaj force, një shtet policor, që ka rrëshqitur në autoritarizëm.
“PDIU dënon me forcë dhunën, egërsinë dhe ndalimet masive në komisariate, të të rinjve, fëmijëve dhe përfaqësuesve të medias. Me keqardhje vërejmë se situata pas egzekutimit te Klodian Rashës nga forcat e rendit, po rëndohet nga ora në orë. Asnjë reflektim nuk po vjen nga Kryeministri, i cili vazhdon të inspirojë filozofinë e dhunës dhe egërsisë që po ushtrohet pa asnjë kufi mbi fëmijët tanë. Qindra të rinj e fëmijë po mbahen forcërisht nëpër komisariate duke shkelur çdo parim të së drejtës së fjalës dhe të drejtës së protestës.
Këto ditë proteste, të një brezi të ri i cili ndjehet i vrarë,i zhgënjyer dhe i keqtrajtuar kanë nxjerrë haptazi fytyrën e një shteti policor, i cili ka rrëshkitur në autoritarizëm e ku i vetmi mjet komunikimi që ka me qytetarët e tij është dhuna e egër mbi ta. PDIU i bën thirrje gjithë institucioneve të rendit të mos provokojnë më dhunën dhe destabilitetin e vendit, të heqin dorë nga cënimi i së drejtës së protestës dhe të mos harrojnë që përgjegjësit e dhunës shtetërore do të mbajnë përgjegjësi individualisht për aktet e tyre.”, thuhet në reagimin e PDIU