PDIU: Të ngrihet zëri për Medvegjën, të mos lejojmë kthimin e saj në një Çamëri të dytë

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda dhe kreu i Fondacionit “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, pritën në një takim zv.kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagovc dhe veprimtarin dhe Asambleistin e Komunës së Medvegjës, Muharrem Salihu, i sapo nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga Presidenti Ilir Meta.

Idrizi i njohu vizitorët me ndërkombëtarizimin e çështjes çame dhe përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë. Ai shprehu nevojën që kanë Shqipëria me Kosovën për sinergji të përbashkët në ekonomi dhe fusha të tjera prioritare. Kreu i PDIU-së, premtoi që do të angazhohet për të ngritur zërin për Medvegjën dhe mos lejuar shpopullimin dhe kthimin e saj në një Çamëri të dytë.

Për Sekretaren e Përgjithshme të PDIU-së, Mesila Doda, asnjë pjesë e kombit shqiptar nuk duhet të shkojë drejt harresës dhe se krerët e shtetit duhet të organizojnë tryeza të përbashkëta për të ndaluar atë që ajo e quajti “politikë të kontrolluar të spastrimit etnik të shqiptarëve të Luginës”.

Nën-kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagovci u shpreh se vlerëson vizitën në selinë e PDIU-së për atë që kjo forcë politike përfaqëson. Ajo iu bashkua thirrjes së krerëve të PDIU-së për angazhimin më të madh të spektrit politik andej e këtej kufirit për çështjen kombëtare.

Veprimtari nga Diaspora, Muharrem Salihu, theksoi se pasivizimi i adresave po e zbraz Medvegjën. Ai shprehu bindjen e tij se PDIU-ja do të jetë zë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës nga Parlamenti i Shqipërisë.  Në mbyllje, Idrizi u shpreh se do të angazhohet në thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimin e veprimtarive për çështjen e Luginës. Të dyja palët ranë dakord që të çojnë përpara agjendën e tyre të përbashkët përmes takimeve të tjera në Tiranë dhe në Prishtinë.

SHKARKO APP