Peleshi: Ja pse nuk shpallëm gjendjen e jashtëzakonshme
Kuvendi u përfshi nga debatet në seancë plenare në lidhje me situatën e përmbytjeve në jug të vendit. Zv.Kryeministri Niko Peleshi ka paraqitur masat e ndërmarra nga Qeveria dhe institucionet e shtetit për përballimin e situatës, ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka akuzoi se banorët e zonave të prekura nga përmbytjet janë lënë në mëshirën e fatit.
Peleshi
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi në Kuvend se si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara në jug të vendit, pozitive është se nuk kemi asnjë jetë të humbur.
Duke informuar Kuvendin se çfarë ka ndodhur përreth një jave me situatën emergjente të përmbytjeve të shkaktuara kryesisht në jugun e vendit, zv/kryeministri Peleshi theksoi se“kryeministri Rama ndodhet jo për herë të parë në terren pranë zonave të përmbytura dhe nuk është vetëm për të bërë atë që bën kreu i opozitës, show me çizme në ujë, por janë të gjitha strukturat e anagazhuara të qeverisë shqiptare, që prej ditës së parë, por edhe para se përmbytja të ndodhte, në gjendje gatishmërie e pune pranë të gjithë qytetarëve”.
“Përmbytja nuk mund të shmangej totalisht, pasi i kalonte mundësitë e strukturave të shtetit, por një lajm të mirë e kemi sot, që është rezultat i ndërhyrjes energjike të gjithë strukturave të emergjencës, se nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur.
Sot sigurisht prioritet i prioriteteve të qeverisë shqiptare është shpëtimi i jetës së njërëzve, i pasurisë së banorëve të përmbytur.
Ekipet janë në gatishmëri dhe në terren. Në emër të qeverisë gjithë struktura është sot e gatshme në terren nuk do lë pa ndihmuar asnjë qytetar të vetëm.
Spekulimi me gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kuptim. Qytetarëve nuk i intereson statusi në letër i intereson se çfarë bën qeveria në terren, nuk kemi lënë pa bërë asgjë ka vetëm një çështje teknike, është bërë për arsye për të mos paralizuar veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone të përmbytur.
Pa e vendosur të gjithë rajonin në gjendje emergjence do të ishte i preferuar dhe jo i kundërshtuar siç e shisni ju. Vlerësimi i drejtë dhe real dhe kompensimi i çdo dëmi sapo të kemi larguar emergjencën e përmbytjes që sot është prioritet i qeverisë”, u shpreh Peleshi.
Ndërsa bëri një panoramë të situatës aktuale dhe të angazhimit të të gjithë strukturave në shpëtimin e jetëve të njerëzve, Peleshi tha se në ndryshim nga rezultatet reale në terren që po jep ky angazhim, opozita në anën tjetër bën show.
Paloka
Kryetari i grupit parlamentar te PD-se, Edi Paloka ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se nuk po merren seriozisht me situatën ne zonat e permbytura.
Ai ka kërkuar që Kryemininistri të jape shpjegime në Kuvend (ndërsa kryeministri Rama aktualisht ndodhet në zonat e përmbytura në qarkun e Vlorës).
“Rama nuk po merret me situatën, por po bën show mediatik, sepse nuk guxon të përballet me realitetin. Ai një ditë shfaqet duke ngrënë qofte në Korçë, pastaja bën cirkun mediatik.
Iku në Francë me 3 lapsa në xhep dhe u thonte francezëve më shumë ndjehem piktor francez sesa Kryeministër i Shqipërisë. Ja ky është cirku mediatik i Ramës, që shfaqet dhe rri nga 1 orë në bunkerin e Enver Hoxhës vetëm për të dalë në media.
Prandaj e përsëris, të dali këtu e të japi llogari për situatën dhe të informojë, pasi është detyra e tij kryesore të jape llogari. Çfarë masash mori për situatën në zonat e përmbytura?.
Çfarë masash mori përveç asaj që paska njoftuar disa fshatarë se po përmbyteni!? Çfarë masash mori pas përmbytjes?
Sa tokë është e përmbytur, sa është numri i familjeve të përmbytura? Çfarë masash janë marrë për t’u strehuar këto familje”.
Për të gjitha këto duhet të vijë kryeministri të na i thotë këtu në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, ai nuk vendos gjendjen e jashtëzakonshme se nuk do të paguajë paratë e demeve të shkaktura nga përmbytja, sepse me këtë masë duhet të paguaje 100% demin, por ai nuk do të japë asnjë kacidhe.
Ai pretendon se ka kërkuar ndihma nga Europa, por nuk mund të kërkosh ndihmë pa shpallur gjendjen e emergjencës dhe kjo nuk është zgjidhje”, u shpreh Paloka.