Pensioni i minatorëve, kryeministri Rama: Do të marrë rrugë kjo problematikë
Në Kryeministri është çelur pasidten e kësaj të hëne ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”, ku përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nxjerr në dritë një tjetër copëz e historisë rrëqethëse të viktimave të diktaturës.
Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me një mesazh ngushëllimi për familjarët e artistit të madh, Sherif Merdani, që u nda nga jeta një ditë më parë, teksa tha se “I shpreh ngushëllime familjes së Sherif Merdanit për ndarjen nga jeta. E kam njohur pak, por ruaj një kujtim shumë të mirë prej tij”.
Kreu i qeverisë u ndalur te pensioni i atyre që kanë pasur punë të rënda, si punën në minierë, dhe që kanë probleme me pensionin, duke u shprehur se kjo problematikë do të marrë rrugë.
”Për sa i përket çështjes që u ngrit, është si hallkë e çështjeve të mbartura prej shumë vitesh. Sot që flasim besoj se ne mund të jemi krenarë për faktin që së paku të gjithë atyre që vuajtën në ferrin e burgjeve të komunizmit dhe që janë ende gjallë ja u kemi shlyer plotësisht detyrimin e marrë përsipër nga shteti në formën e dëmshpërblimit.
Ata që kanë pasur edhe punë të rënda, si punën në minierë, problematika që ka të bëjë me pensionin, është një problematikë sa absurde, aq edhe e lidhur me aspektet e ligjit. Shpresoj dhe besoj që do të marrë rrugë edhe kjo dhe të paktën në raport me të gjithë ata që vuajtën personalisht në burgjet komuniste dhe që patën fatin të dalin gjallë prej tyre, ne kemi shlyer atë borxh të madh moral, por edhe atë borxh të bartur financiar të pashlyer për shumë vite.
Nga ana tjetër, është vërtet një dhimbje e posaçme po të marrësh parasysh se janë akoma shumë familje që nuk arrijnë dot të kenë një vend për të shkuar edhe për të kujtuar e nderuar të afërmit e tyre, apo paraardhësit e tyre, për shkak se nuk gjenden eshtrat. Ndërkohë që është e pakuptueshme e gjithë koha e humbur, sidomos në vitet 90, kur mundësitë ishin shumë më të mëdha dhe fenomeni i zhdukjes së dokumenteve apo i fshehjes së tyre ishte ende e mundshme që të përballohej”.