Për ndonjë mercenar nga radhët e opozitës

Nga Astrit Veliaj-
Beteja e re e Sali Berishës për nder dhe vërtetësi ka zgjuar edhe ndonjë oportunist opozite, që nuk pati kurrë shkëlqim në skenën publike, por kërkon rol duke gjuajtur me gurë familjen e tij politike. Për këtë soj politikanësh ka folur para 85 vitesh edhe Krist Maloki, si një specie pa principe, që ndjek llokmën dhe kolltukun, që përdor çdo mjet për të siguruar interesin, e kur e do nevoja bëhet patriot e përparimtar, ‘bashkohet me të tjerët si ata ujqërit që shkojnë së bashku në pre, por edhe shqyejnë shokun e tyre kur dobësohet apo plagoset udhës’.
Politika ka nevojë për karaktere. Partitë nuk janë kope ujqërish ku mezi pritet të lëndohen shokët për të plotësuar fantazitë politike, por organizime vullnetare rreth disa ideve dhe parimeve, ku mbizotëron kolegjialiteti dhe respekti për lidershipin dhe trashëgiminë historike. Sulmi ndaj bashkëluftëtarëve nuk është kauzë, por dredhi, një lloj imoraliteti që të shkatërron përfundimisht. Nëse ke pasur edhe ndopak simpati si njeri, kur merr rolin e lakeut të humbet çdo prestigj. Nuk lartësohesh duke ndotur, por duke ndërtuar, jo duke pritur rastin, por duke mbrojtur principet.
Deri sa të flasi drejtësia nuk i shkon demokratit të bëhet palë me kundërshtarin, të fitojë protagonizëm duke i kthyer armët ndaj të tijëve. Çdo pretendim, ndaj çdokujt, dërgohet në gjykatë – atje shihet pesha e fakteve, ndahet agresioni politik nga shkeljet e pretenduara të ligjit. Jo çdo akuzë ka bazë reale. Edhe konkluzionet shkencore kanë marzh gabimi, imagjino qëndrimet politike, të bazuara tek mjeshtrat vendorë të dezinformimit. Këtu ka një makineri të manipulimit të së vërtetës, ku qindra themeltarë nga fusha të ndryshme të jetës janë fshirë nga historia e vendit. Kjo kulturë duhet flakur. Gjurmët e lëna në udhëkryqet e historisë nuk rishkruhen në bodrumet e politikës, nga grupimet okulte, mercenarët dhe arrivistët.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?