Përfaqësuesja ligjore Elena Xhina: PS, plotësisht dakord që KQZ të numërojë votat e diasporës
Përfaqësuesja ligjore e Partisë Socialiste pranë KQZ, Elena Xhina, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha sot se PS është plotësisht dakord që numërimi i votave të diasporës të realizohet nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjatë prononcimit për ATSH, Xhina sqaroi se Partia Socialiste ka kërkuar që partitë politike të kenë vetëm statusin e vëzhguesit
“Partia Socialiste është plotësisht dakord sa i takon procesit të numërimit të votave të diasporës, që ai të kryhet nga numëruesit e zgjedhur nga KQZ, siç parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe është propozuar nga Kryekomisioneri në aktin për administrimin e votës, në Komisionin Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thekson Xhina.
“Mënyra e numërimit të votës së Diasporës është e sanksionuar në ligj dhe hartuesit e ligjit e dinë mirë këtë gjë. Askush nuk mund të dalë përtej ligjit. PS ka kërkuar që partitë politike të kenë vetëm statusin e vëzhguesit nga afër për të gjithë procesin e numërimit, vlerësimit të votave që mbërrijnë përmes shërbimit postar, nga zgjedhësit nga jashtë vendit”, përfundoi Xhina prononcimin e saj për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Një ditë më parë, Komisioni Rregullator u mblodh për të diskutuar “mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”.
Vendimi i paraqitur në Komisionin Rregullator nga Kryekomisioneri Ilirian Celibashi parashikon që vota e diasporës të numërohet nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi pritej të miratohej të hënën, por palët nuk gjetën dakortësinë. Kjo solli që vendimi të shtyhej për vitin e ardhshëm.
Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor sqaroi se ky propozim i Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, është bazuar në Kodin Zgjedhor, ku thuhet se zarfet me vota nga jashtë, numërohet nga administrata e KQZ.
Lidhur me këtë propozim, PD kërkoi që votat nga jashtë, të trajtohen njësoj me votat brenda vendit.
“Në asnjë germë nuk i jepet leje kreative KQZ-së që të shpikë një proces të ri, teksa Kodi Zgjedhor ka rregulla për të gjithë procesin. Nuk jeni të autorizuar të shpikni procedurë krejt të re, ndryshe nga ajo e shqiptarëve që votojnë brenda vendit. Të jetë e njëjtë si brenda vendit”, tha Kaso.
Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator, u shpreh se “PS e PD duhet t’i kishin sjellë mendimet me shkrim. Janë pyetur në 12 nëntor”.
Mungesa e dakordësisë bëri që mbledhja e Komisionit Rregullator të mbyllej pa vendimmarrje dhe për vendndodhjen se ku do të numërohen votat e diasporës.
/a.f/