Veliaj nderon ambasadorin britanik me “Çelësin e Qytetit”: Tirana, një derë e hapur për ju

Në përfundim të mandatit të tij si ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në një ceremoni të posaçme në Bashkinë e Tiranës. Veliaj shprehu vlerësimin për kontributin e ish ambasadorit King-Smith në ushtrimin e detyrës së tij në vendin tonë, por shtoi se “Çelësi i Tiranës” është simbolikë se ai e ka gjithmonë derën e hapur për t’u rikthyer në kryeqytet.
“Ne e kemi vlerësuar mirësinë, kontributin, përkushtimin, dedikimin, pasionin gjatë ushtrimit të kësaj detyre të rëndësishme. Kjo e sotmja nuk është një “Mirupafshim!”, por është një “Ju faleminderit!”. Në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, të atyre qytetarëve, që jam i sigurt që, nëse nuk i ke takuar fizikisht i ke prekur me fjalën tënde, me kontributin tënd, do të doja të kishe një çelës për t’u kthyer, jo vetëm te kjo tarracë, por në çdo centimetër katror të këtij qyteti. Ndaj dua t’ju akordoj Çelësin e qytetit të Tiranës, si një mënyrë për ta hapur gjithmonë derën, dhe sigurisht si një alibi për t’u kthyer gjithmonë këtu për gëzime, për festa dhe për punë të bukura”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi qëndrimin e Britanisë së Madhe në krah të Shqipërisë në ditët më të vështira, duke përmendur këtu edhe mbështetjen financiare të qeverisë britanike në Konferencën e Donatorëve, për përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar.
Veliaj u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve, që janë konkretizuar si në marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, ashtu edhe në mikpritjen që Londra i ka bërë shqiptarëve, që tashmë janë vendosur në Britaninë e Madhe dhe jetojnë atje prej vitesh.