Përjashtimi i 6 demokratëve, reagon Saimir Korreshi: Të ftohen deputetët që doni të përjashtoni
Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka reaguar ashpër ndaj njoftimit që ka marrë për zhvillimin e mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, ku pritet të përjashtohen 6 deputetë të opozitës pas tensioneve në seancën e fundit plenare.
Në përgjigjen e tij ndaj këtij “email-i’, Korreshi, si anëtar i komisionit ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet fizikisht.
Ndër të tjera ai ka kërkuar edhe që në mbledhje të jenë të pranishëm edhe deputetët që do përjashtohen, për të dhënë versionin e tyre mbi ngjarjet në Kuvend.
“Po pak turp nuk keni. Prap me online. Si anëtar i komisionit kërkoj që mbledhja të zhvillohet fizikisht. Kërkoj të njoftohen deputetët që kërkoni si parti komuniste të përjashtoni, të japin versionin e tyre të ngjarjeve. Na i keni bere këto kërkesa si përshkrimi i sigurimit të shtetit në kohët”, shkruan Korreshi.
Kujtojmë se Partia Socialiste ka kërkuar masë disiplinore për 6 deputetë të opozitës pas kaosit të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së të hënës (20 nëntor).
Mazhoranca ka mbledhur firmat dhe kërkesa është depozituar në Komisariatin e Etikës që pritet të marrë sot (22 nëntor) vendimin.
Deputetët për të cilët është kërkuar marrja e masës disiplinore janë: Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Sorina Koti, Albana Vokshi dhe Flamur Hoxha.