Përjashtimi i Berishës nga PD? Spaho: Kërcënim i shëmtuar nga Basha. Salianji: Kryetari ka ndjekur statutin
Jo më vonë se dje, Lulzim Basha foli për një përjashtim të Sali Berishës nga PD-ja, pas përjashtimit nga grupi parlamentar. Paralajmërimin deputeti demokrat Edmond Spaho e sheh si pasojë e sjelljeve dhe vendimeve individuale që Basha ka ndjekur ndër vite, duke e bunkerizuar Partinë Demokratike.
“Është kërcënim i shëmtuar nga Basha, nga një parti ku duhet të respektohet fjala e lirë”, thotë Spaho për A2 CNN.
Ervin Salianji thotë se Basha me këtë qëndrim ka respektuar statutin e demokratëve. ”Të mbushësh sallat nuk tregon mbështetje të demokratëve. Basha ka ndjekur statutin e PD-së. Kush kërkon të bëjë protesta, tubime e mitingje është i lirë, por do të ketë vetëm një Kuvend për demokratët, në 18 dhjetor”.
Kjo ndarje në dy kampe që kanë sjellë zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike është parë si një rrezik për përçarjen e forcës më të madhe të së djathtës, ndonëse të dyja palët shprehen publikisht se kanë qëllim unifikimin e saj.