Përkujtohet rënia e Murit të Berlinit, Basha: Në këmbë kundër mureve të reja
Në këtë ditë të cilën e përkujton e gjithë Europa, Shqipëria e ka kaluar në heshtje nga mazhoranca dhe përkujtimin e saj e bën vetëm Bashkia e Tiranës dhe opozita.
“Kjo është një pyetje që i bëjmë sot vetes e duhet t’ia bëjmë atyre, që me heshtjen e tyre, me harresën e tyre, me shpërfilljen e tyre ndaj kësaj date simbolike që e feston gjithë Europa, demaskojnë synimet e tyre për të rivendosur në Shqipëri një tjetër mur që ndan shqiptarët midis atyre që gëzojnë barazinë para ligjit dhe atyre që nuk e gëzojnë atë. Midis atyre që gëzojnë sigurinë ligjore dhe atyre që nuk e gëzojnë atë. Midis atyre që kanë shanset të krijojnë e të mbajnë pasuri dhe atyre që puna e tyre e ndershme, kursimet e jetës, pasuria e vënë me mund, iu shkatërrohet pa ligj“,- theksoi zoti Basha.
Zoti Basha ka theksuar se shteti i të padrejtës përballë shtetit të së drejtës është dilema në të cilën po e vendos kjo mazhorancë sot me sjelljet e saj arbitrare shoqërinë shqiptare. Duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe të shekullit në hyrje të bllokut famëkeq ku qendrojnë sot si kujtesë për çdo shqiptar, një copë nga muri i Berlinit, bunkeri dhe galeria e Spaçit, zoti Basha ka theksuar se shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë më mure, kurrë më tirani!
“Ndaj sonte duhet të kujtojmë dhe të mos harrojmë për asnjë çast, se liria ngadhnjeu mbi tiraninë dhe marrëzinë e saj për shkak të forcës dhe vlerave të lirisë dhe njerëzve të lirë në shpirt dhe në zemrat e tyre. Të kujtojmë dhe të mos harrojmë se liria nuk është dhuratë, por mbahet dhe forcohet me përpjekje të vazhdueshme dhe luftë të përditshme.Të kujtojmë dhe të jemi në këmbë kundër mureve të reja që ngrejnë në shoqëri, paligjshmëria, arbitariteti, arroganca, korrupsioni dhe krimi me mbështetje qeveritare, shpërfillja e zërit të qytetarëve dhe varfërimi i tyre.Përveç një ngjarje historike për t’u kujtuar, rrëzimi i Murit të Berlinit është një shembull dhe një mësim i madh për rrëzimin e gjithë mureve që ngrihen dhe pengojnë përparimin, apo kërkojnë të ndryshojnë rrjedhën e pandryshueshme të demokracisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve të lirë. Me këtë vetdije, le ta festojmë edhe ne si gjithë evropianët sonte këtë ngjarje të madhe të shekullit të kaluar e le të rizotohemi këtu, në hyrje të bllokut famëkeq shqiptar, kurrë më mure, kurrë më tirani!”,– theksoi zoti Basha.
Të pranishmit kanë vendosur pranë një pjesë të murit të Berlinit trënfafila të bardhë në përkujtim të të gjithë atyre që humbën jetën për liri dhe demokraci.