Përurohet shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”. Do të mirëpresë 1300 nxënës

“Emin Duraku” është shkolla më e re e ndërtuar në Tiranë, e cila do të mirëpresë 1300 nxënës në vitin e ri shkollor. Projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe UNDP, falë Programit “EU4Schools”, sjell standardet më të mira të infrastrukturës arsimore dhe sigurisë, si edhe hapësira të mjaftueshme që mund të përdoren nga fëmijët jashtë orarit mësimor.

Të pranishëm në përurimin e shkollës ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, shefi i Seksionit Politik pranë Delegacionit të BE-së, Andre Rizzo, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, nxënës, mësues etj.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi Bashkimin Europian dhe UNDP që financuan ndërtimin e shkollës, duke u shprehur se me përfundimin e saj, fillon një histori të re për komunitetin e Njësisë 5. “Sot hapim një faqe të re për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të zonës së ish Bllokut sepse kjo është një shkollë m’u në zemër të Njësisë 5. Shkolla mbaron për një javë, por ne do t’i shfrytëzojmë pushimet për të bërë edhe një ndërhyrje në pjesën e jashtme, që të sigurohemi që fëmijët nuk dalin menjëherë në rrugë, duke future edhe në këtë shkollë konceptin e një brezi sigurie për fëmijët, siç kemi bërë te shkolla “Gustav Majer”. Tërmeti e dëmtoi rëndë, prandaj morëm vendimin për ta ndërtuar komplet të re. Tani kemi vetëm një kërkesë për nxënësit: presim nota të mira, fitore në olimpiada dhe kupa në kampionate”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pritet të vërë në zbatim një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, kryesisht në periferi të kryeqytetit, për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjes së arsimit në Tiranë. “Kjo është shkolla jonë e 42-të në total, por e 7-ta që bëjmë me BE dhe UNDP. “Xhezmi Dielli” ka mbaruar, “Myslym Keta” ka mbaruar, “Musine Kokalari” ka mbaruar dhe nga 42 do të shkojmë në 45 shkolla të reja në Tiranë. Pastaj, fillojmë me një paketë prej 10 shkollash të tjera, kryesisht në zonat e Astirit, Liqenit të Thatë, Saukut dhe Shkozës; pra, periferitë e Tiranës, që më në fund zgjidhin përfundimisht çështjen e arsimit. Që nga koha e Pavarësisë nuk janë ndërtuar kaq shumë shkolla në Tiranë”, u shpreh ai.

SHKARKO APP