Petrit Malaj: Dy krenaritë tona, si Shqiponja me dy krena!

Nga Prof. Petrit Malaj

Mes vapës së fillimvjeshtës, lajmeve të kronikës së zezē, lajmeve për thatësira e përmbytje, pati edhe dy lajme që na lehtësuan e  na dhanë krahë. Kraharorët u mbushën e u zbrazën për të brohoritur arritje kolektive e individuale në sport e në art të Shqipërisë sonë të dashur.

Dhe natyrshëm, si shqiptar, si patriot e atdhedashës, mbushesh me krenari për arritjet e me frymëzim dhe shpresë për të ardhmen. Krenaria buron jo thjesht nga fakti se je shqiptar, por edhe sepse mendon se ndoshta ke kontribuuar sadopak në ndihmë të këtyre arritjeve. Atëhere vërtet ndihesh edhe më legjitim.
E ndërsa në drejtim të sportit kontribuojmë të gjithë me mbështetje morale nga ekrani televizorit apo duke mbushur shkallët e stafiumit, në drejtim të artit mund të kontribuojmë si formues, në rolet tona si edukatorë, individualisht apo si pjesë e intitucioneve formuese. E pikërisht këtu zë fill edhe legitimiteti.

Me kënaqësi të pamasë mësova për arritjet e regjisorit shqiptar Erenik Beqiri i cili ka shënuar historinë në kinemanë shqiptare, duke rrëmbyer “Luanin e Artë” në 80-vjetorin e Festivalit të Filmit në Venecia.
E uroj/e urojmë nga zemra!

Në foto: Regjizori Erenik Beqiri

Si artist, edukatorë apo edhe si pjesë e institucioneve formuese, ndihemi pranë këtij suksesi, pasi gjatë rrugëtimit tonë në fushën e arsimit dhe artit, ne si pedagogë e krijues hasim në studentë të jashtëzakonshëm, të cilët shquhen për talentin e tyre të rrallë dhe angazhimin e tyre domethënës ndaj artit.
Nga kjo arritje e jashtëzakonshme e Erenik Beqirit,  në nivele të tilla të larta  padyshim që edhe ne përfshihemi nga një ndjesi e thellë krenarie dhe gëzimi. Ndjesi e pakrahasueshme dhe e vërtetë!

Në një rrëmim jo shumë skrupoloz në internet, të befason fakti se faqe mjaft prestigjioze e të besueshme rradhisin fill pas emrit të Erenikut edhe emrin e institucionit ku ai u formua, Universiteti i Arteve Tiranë (ish Akademia e Arteve -Tiranë).

Jemi krenarë për Erenikun dhe gjithashtu për institucionin. Jemi krenarë sepse ajo çka u mëkojmë studentëve se “këmbëngulja e puna e palodhur duke jetuar si artist e në rradhë të parë si qytetar ,shpërblehet” , tanimë do të ketë edhe një tjetër shembull konkret për t’ua përçuar brezave që vijnë.

Për pedagogun, krenaria vjen nga fakti që ai ka pasur mundësi të shërbejë në zhvillimin dhe rritjen e aftësive artistike të studentit të tij. Por jo vetëm, krenarë jemi kur shikojmë se si studentēt rriten dhe zhvillohen si artistë të pavarur, si garojnë të barabartë me kolegët e tyre në botë e arrijnë të sfidojnë me artin e tyre. Jo vetëm të sfidojnë, por edhe të fitojnë!

Edhe njëherë urime, Erenik! Na lumturove e gëzojmë njësoj si ti, në çdo hap tëndin!

SHKARKO APP