Petrit Vasili: Beteja deri në fund kundër kapjes së shtetit, që po shemb Republikën, guri i provës për opozitën e vërtetë!
Nga Petrit Vasili
Betejë deri në fund kundër kapjes së shtetit, që po shemb Republikën, guri i provës për opozitën e vërtetë!
Kapja e shtetit dhe tronditja shumë e rëndë e kolonave mbajtëse të tij që janë drejtësia e barazia para ligjit dhe një sistem gjyqësor i paanshëm e i pavarur, zgjedhjet e lira e të ndershme që prodhojnë institucione, që respektojnë Kushtetutën e ligjin, dhe ekonomia që zhvillohet mbi tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme janë strategjia e kriminalizuar e rilindjes kundër shqiptarëve.
Përballja me Kapjen e Shtetit është guri i provës dhe vija e ndarjes për një opozitë të vërtetë e të sinqertë, që përballet deri në fund dhe nuk tërhiqet deri në fitoren e Republikës Parlamentare Demokratike ndaj shtetit të kapur rilindas vasal të krimit, oligarkëve dhe trafikantëve.
LSI ishte kontribuesja kyç dhe ishte realisht ajo, që realizoi Reformën në Drejtësi me konsensusin historik me 140 vota të 21- 22 korrikut 2016.
Sot kapja e Drejtësisë nga rilindja dhe kolapsi total i Sistemit të Drejtësisë, që kanë siguruar pandëshkueshmërinë e rilindjes janë Fakt i pakundershtueshëm.
Kapja e drejtësisë nga rilindja dhe pandeshkueshmëria e saj janë Fakt real dhe i padiskutueshëm e ku çështjet e Teatrit, inceneratorët, afera e Portit të Durrësit dhe çështja Beccheti, ku drejtësia e kapur nuk vepron, janë prova tronditëse të rrembimit të Drejtësise nga rilindja.
Hetimi dhe nxjerrja deri në një e përgjegjësive dhe përgjegjësve të rilindjes për bllokimin e reformës dhe kapjen e drejtësisë prej saj është detyrë nga më kryesoret e opozitës.
Të hetohen të gjitha ndërhyrjet e njëanshme në ligjet e Reformës në Drejtësi të kryera në dy vitet e fundit nga Kuvendi njëpartiak, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Vetëm një proces i tillë shumë i thellë, shumë i përgjegjshëm, pa asnjë kompromis dhe që ndëshkon përgjegjësit rilindas të kapjes së Reformës ne Drejtesi, mundet të krijonte premisa për një debat për reformën në drejtësi.
Ndërsa e kundërta do të ishte vetëm një shërbim, që i bëhej rilindjes për legjitimimin e kapjes totale të drejtësisë në çdo segment të saj.
LSI ishte kontribuese shumë aktive për marreveshjen e 5 qershorit. Kjo marrëveshje u shkatërrua nga rilindja dhe ky shkatërrim prodhoi masakrën zgjedhore të 25 prillit dhe kapjen e zgjedhjeve prej rilindjes.
Hetimi deri në fund i zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxjerrja e përgjegjësive shumë të rënda, qe bien mbi rilindjen për kapjen dhe shkaterrimin e zgjedhjeve është detyra me rëndësishme e opozitës përballë shqiptarëve, të cilëve u është grabitur vota dhe interesi kombetar dhe ai privat.
LSI ishte ajo që paraqiti në Kuvend Projekt Ligj kundër Koncesioneve korruptive, që grabisnin qindra milionë euro dhe ky projektligj u bllokua dhunshëm e me çdo mjet nga rilindja në parlament.
Hetimi deri në fund i koncesioneve shkatërrimtare të miratuara nga Kuvendi njëpartiak për periudhen 2019- 2021 është detyrë dhe detyrim madhor ndaj shqiptarëve për zbardhjen e grabitjes më të rëndë, që i është bërë interesit publik dhe kombëtar.
Shmangia nga këto tre çështje madhore që kanë tronditur e çuar në pikën kritike ekzistencën e shtetit dhe që janë kapja e drejtësisë, kapja zgjedhjeve dhe kapja e ekonomisë permes koncesioneve është krijimi i alibive për legalizimin e kapjes së shtetit nga Edi Rama, që do të thotë vazhdim i rrënimit të vendit dhe shpopullimit të tij.
Hetimi deri në fund i këtyre çështjeve dhe identifikimi i të gjitha përgjegjësive penale dhe politike, që bien mbi Ramën dhe rilindjen është rruga e vetme që mund të krijojë edhe premisa se marrëveshjet për reforma të caktuara mund të funksionojnë.