Petrit Vasili: Edi Rama, kryeministri më i zi që ka parë Shqipëria, i la vetëm shqiptarët në pandemi

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat nga foltorja e selisë së LSI-së, u shpreh se Edi Rama i la vetëm shqiptarët në pandemi.

Deklarata për media e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

 

Të nderuar qytetarë dhe qytetarë,
Jo më larg nga dje, përfundimisht Edi Rama vetë çorri maskën e tij lidhur me vaksinimin me pandeminë dhe gjithçka tjetër. Ai i provoi të gjithë shqiptarëve që shëndeti i njerëzve nuk vlen asgjë për të, vaksinimi nuk vlen asgjë për të, gjithçka e ka dhe e shikon vetëm në funksion të këmbëve të thyera të karriges së tij të qelbur. Megjithatë të ndjekim pak sekonda se çfarë pa pasur guximin dhe pafytyrësinë Edi Rama, i cili shantazhon shqiptarët me vaksinën e pandemisë së Covid 19.

Pra të nderuar qytetarë ky individ, ky kryeministër më i zi që ka parë Shqipëria i cili i la vetëm shqiptarët mijëra prej tyre për të përballur pandeminë e ku të gjithë kanë hyrë në borxhe pafund e nga xhepat e shqiptarëve kanë dalë 140 milion euro nuk u ka rimbursuar asnjë lek atyre dhe mijëra e mijëra familje kanë tentuar me dëshpërim të përballojnë shpenzimet. Ku kanë mundur kanë shpëtuar jetët e familjarët e tyre e sot ndodhen në dramën ekonomike të pamundësisë absolute për të larë borxhet ku kanë hyrë. Ky individ mbi të cilin rëndojnë 9 mijë vdekje të fshehura ,të padeklaruara e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me Covidin, guxon e flet e shantazhon shqiptarët. Po i njëjti individ i cili gënjen dhe sot e kësaj ditë, duke ulur testimet që të duket sikur ulen numrat për të vazhduar të gënjejë shqiptarët, ndërkohë që qindra të tjerë në mënyrë të përditshme sëmuren e nxjerrin miliona lekë të tjera nga xhepi. Po ky individ që la mijëra biznese të mbyllen ndërsa Maqedonia fqinje aplikon paketën e 6 të ndihmës, ky nuk ka bërë as një çerek ndihme të paketës së parë, duke bërë që dhjetëra mijëra njerëz të humbasin punën, të kenë pamundësi që të kurohen nga Covidi, të kenë të ardhura, sepse qeveria e tyre nuk ekziston.

Çfarë do të ndodhte në një qeveri tjetër dhe çfarë do të ndodhë pas 25 prillit? Është shumë e qartë. Do të jenë përpara shqiptarëve njerëz të përgjegjshëm, të cilët nuk e përdorin kurrë shëndetin e shqiptarëve për interesat e karriges së qelbur, siç bën Edi Rama. Do të jenë një grup profesionistësh të vërtetë, që e kanë provuar edhe në të shkuarën veten e tyre, që dinë ta drejtojnë më së miri pandeminë, të kursejnë mijëra jetë njerëzish, të kursejnë mijëra infektime të tjera dhe jo si ky batakçiu që çdo gjë e ka të lidhur me karrigen e vet.

Do të jenë patjetër një grup profesionistësh që kanë muaj e muaj të tëra që japin alternativa të shkëlqyera, që do të kursenin shumë jetë, vuajtje, humbje jete të shqiptarëve. Batakçiu nuk i dëgjoi kurrë. Sepse Edi Rama e shikon shëndetin vetëm në funksion të karriges së tij, e përdor dhe e shpërdor, e mizorisht në mënyrë sadiste ua përdor shëndetin. Guxon edhe t’i bëjë shantazh me vaksinat. Ishte po ky batakçi edhe për vaksinat, që kur iu kërkua publikisht, në mënyrë profesionale nga opozita, se cilat ishin burimet alternative për të pasur një vaksinë të mirë e cilësore, i refuzoi ata që t’i linte në mes të katër rrugëve.

Pra është e qartë, që shqiptarët kanë një alternativë të shkëlqyer, profesionale, të përgjegjshme dhe qytetare, që i jep zgjidhje në mënyrë të qartë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në të mirë të shëndetit të qytetarëve. Kanë përballë dhe një sadist, për të cilin ua them sërish, do të mjaftonte dhe një ditë fushatë elektorale dhe jo më shumë, për të treguar se cili është Edi Rama. Tanimë e dëgjuat edhe vetë. Vaksina përdoret nga Edi Rama vetëm e vetëm për karrige, nuk i dhemb për qytetarët.

Ka vetëm një qëllim të vetëm, që t’i mashtrojë përditë, t’i kërcënojë me vaksinën. Kush guxon të kërcënojë me shëndetin dhe kush guxon ta përdorë atë, ka një fund të pashmangshëm, të tmerrshëm dhe një humbje katastrofike përballë vetes. Kjo do të ndodhë më 25 prill, në të mirë të mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë e në të mirë të së ardhmes së Shqipërisë, që fytyra të tilla të pacipa e të paturp, që shantazhojnë me shëndetin, të mos shfaqen më kurrë në historinë e Shqipërisë. Ju faleminderit të gjithëve!

 

SHKARKO APP