Petrit Vasili: Klement Balili duhej të ishte arrestuar

Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka komentuar deklaratat e deputetit Ben Blushi lidhur me arrestimin e të kërkuarit nga policia, Klement Balili.

Vasili tha se “Sigurisht nuk dua të bëj ndonjë replikë më z. Blushi, as drejtpërdrejtë dhe aq më keq në distancë. Por dua të thosha në mënyrë të qartë dhe të prerë vetëm dy momente. Momenti i parë; për LSI-në, Klement Balili, duhet të ishte arrestuar dje, pra jo sot, dhe përsa i takon konsideratës nëse dobëson, e forcon apo e ç’bën mazhorancën, kam një konsideratë shumë të qartë dhe të prerë”.

Më poshtë prononcimi i plotë për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Vasili, Gjykata Kushtetuese mori sot vendimin për Ligjin e Vettingu-t duke rrëzuar ankesën e PD-së. Cili është komenti juaj?

Vendim që Gjykata Kushtetuese ka marrë lidhur me Vetting-un, është një vendim i një rëndësie të jashtëzakonshme. Edhe për thelbin e procesit të reformës në drejtësi, që merr besoj një legjitimitet të ri, pasi pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga zbatimit të reformës, e cila është shumë e lidhur dhe e ka moment kyç zbatimin e Vettingu-t.

Natyrshëm është një moment në të cilin duhet punuar me përgjegjshmëri dhe me intensitet të lartë për të fituar kohën, pasi në një mënyrë apo në një tjetër është humbur kohë e çmuar. Por besoj vendimi vetë imponon këtë përgjegjësi të re, imponon një përgjegjësi edhe në zbatimin e ligjit të Vettingu-t dhe reforma në drejtësi që nga ky moment, besoj duke kaluar këtë problematikë që u paraqit, mund të ecë përpara dhe ka zgjidhur besoj momentin kyç të saj.

Po kjo frymë përgjegjshmërie duhet të shoqërojë edhe zbatimin e ligjit në praktikë, por në fund të fundit është marrë një përgjigje e qartë edhe për një çështje, e cila e lidh reformën në drejtësi dhe me integrimin evropian, dhe është një lajm pozitiv që shkon edhe në këtë drejtim.

Pra kemi fituar një momentum të ri lidhur me këtë çështje, e cila kërkon tashmë intensitet të lartë. Besoj që është një ditë e mirë sot për reformën në drejtësi dhe një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, të cilët e kanë ndjekur për një periudhë 2-vjeçare pothuajse reformën në drejtësi, por edhe sa e lidhur ka qenë kjo reformë më këtë ligj, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me pastërtinë e sistemit gjyqësor. Që do të thotë besim shumë më të madh te ky sistem dhe drejtësia që do të prodhojë në të ardhmen.

Pas zbatimit të ligjit për Vettingu-n , mos ndoshta do të kemi shumë shpejt edhe një datë për hapjen e negociatave nga BE, z. Vasili?

Një lajm i tillë është i lidhur vetëm me pozitivitetin që mund të vijë, duke demonstruar përgjegjshmëri të lartë edhe në zbatimin konkret të këtij ligji, kështu që besoj që ecim në një rrugë shumë më pozitive se më parë dhe është një lajm i mirëpritur në radhë të parë për shqiptarët. Duhet ta theksojmë këtë, por është një lajm shumë i mirëpritur edhe për procesin e integrimit europian, që e kishte një moment delikat të tijin edhe në raportin e fundit të BE-së. Vetting-u nënvizohet si një moment kyç në procesin e integrimit.

Vasili, a mendoni se reformën në drejtësi e presin vonesa të tjera për shkak se edhe dy ligje të tjera të paketës së reformës janë ankimuar nga PD-ja në Gjykatën Kushtetuese?

Hapja e rrugës për Vettingu-n, hap rrugën për skanimin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra do të thotë se ecim në një rrugë që është thelbi i procesit për të pasur njerëz në pastër, të cilët do ta qeverisin këtë sistem gjyqësor të ardhshëm dhe mendoj që këtu kemi zgjidhur problemin themelor. Besoj se edhe të tjerat, në dritën e këtij vendimi, do të ketë edhe qasje të ekuilibruar dhe racionale për çështje të tjera.

Vasili, Ben Blushi pak më parë tha që Klement Balili nuk arrestohet, sepse ka mbështetjen e LSI-së dhe një gjë e tillë çon në rrëzimin e qeverisë…

Sigurisht nuk dua të bëj ndonjë replikë më z. Blushi, as drejtpërdrejtë dhe aq më keq në distancë. Por dua të thosha në mënyrë të qartë dhe të prerë vetëm dy momente.

Momenti i parë; për LSI-në, Klement Balili, duhet të ishte arrestuar dje, pra jo sot, dhe përsa i takon konsideratës nëse dobëson, e forcon apo e ç’bën mazhorancën, kam një konsideratë shumë të qartë dhe të prerë.

Pra, arrestimi i tij i menjëhershëm që nga dje e forcon aleancën politike, por mbi të gjitha forcon shtetin ligjor për të cilin ne jemi investuar që të gjithë, pasi qëndrimi i LSI-së për të gjithë njerëzit të cilët kanë probleme me ligjin të cilët e shkelin ligjin, përfshihen në veprimtari antiligjore, qofshin ato kriminale apo të nivelit më të ulët, papajtueshmëria jonë është absolute e plotë dhe nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë as mbështetja dhe më vogël për kurrkënd.

Asnjë njeri i cili nuk respekton ligjin nuk mund të ketë mbështetjen e LSI-së qoftë ky anëtar apo simpatizanti i LSI-së apo një qytetar i thjeshtë cilido qoftë ai.

SHKARKO APP