Petrit Vasili: Shqipëria e përmbytur, qeveria braktis qytetarët!

Nga foltorja e LSI-së, nënkryetari Petrit Vasili deklaroi se ndërsa Shqipëria është e përmbytur e gjitha, qeveria ka braktisur qytetarët!

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Shqipëria është mbërthyer në darën e përmbytjeve dhe të një situate moti të jashtëzakonshme, e cila ka krijuar probleme shumë të mëdha për jetën e qytetarëve, për pronën e tyre dhe për veprimtaritë ekonomike që lidhen me to, duke krijuar një problem kritik për të gjithë qytetarët.
Ju jeni mësuar të nderuar qytetarë të shikoni pafundësisht në media, në mënyrë të përditshme, qeverinë e cila ndan çelësat e ndonjë shtëpie të riparuar nga tërmeti apo që mban shown e radhës, prezanton aeroporte edhe rrugë imagjinare. Ju ka mbirë në sy kjo qeveri. Sot Shqipëria është në hall, në hall të madh. Sot ju duhen qeveritarë që të bëjnë detyrën e tyre, as më shumë dhe as më pak. Por do të keni mundësi dhe shikojeni sesi gjendet Shqipëria dhe fotot janë aktuale, tregojnë më së miri përmbytjen që nga veriu e deri në jug.
Shkodra, Lezha, Fushë Kruja, Gjirokastra, Saranda, Elbasani e mjaft rrethe janë mbërthyer në darën e pasigurisë, të orëve që vijnë e nuk kanë përgjigje e ju nuk shikoni këmbë ministri apo struktura të emergjencave civile, e një qeveri që është mësuar të rrijë nga 2 orë live nëpër televizione, nuk po kujtohet që të dalë e të shikojë ç’bëhet me të gjitha ata qytetarë që u janë prishur banesat nga tërmeti, të cilët ndodhen në kontejnerë, çadra apo në shtëpi që janë gati për t’u rrënuar. Por shikoni, ja ku i keni edhe rrugët si çahen, të cilat janë të sapo riparuara e për të cilat janë marrë para. Rruga e Borshit e çarë mu në mes. Sapo ishte hedhur asfalti i freskët para pak kohësh. Kjo është cilësia e mirëmbajtjes dhe e milionave që paguhen për këtë mirëmbajtje. Shikojeni sesi janë përmbytur zonat, nuk shikoni këmbë njeriu.
Këta ministra e kryeministër, të cilët flasin për të gjitha budallallëqet e botës, janë zhdukur nga qarkullimi. Këta që mbjellin një pemë e qëndrojnë 1 orë në televizor ku janë sot, ku ndodhen? Qytetarët e kanë paguar këtë qeveri, e paguajnë me taksat e tyre. E mbajnë në këmbë pikërisht për t’iu shërbyer atyre.
Ku janë emergjencat civile për të cilat ulërihet dhe duartrokitet pa fund? Ku ndodhen? Ku ndodhen tërë këta llafazanët e qeverisë, që nuk lënë llaf pa thënë? Këtu nuk flet thjesht dhe vetëm opozita, flasin edhe ngjarjet. Ja ku janë! Ku e kanë këta qytetarë qeverinë e tyre? Ku ndodhet kjo qeveri? Kjo qeveri mashtruesish, fjalamanësh, e gatshme për të paguar për koncesione. Ja koncesionet se si i çajnë rrugët. Ja përmbytur qytetet, përfshirë edhe qytetin ku në krye të listës ka qenë kryeministri, Vlora, që u bë e zakonshme të përmbytet si asnjëherë më parë. Në dhjetëra vjet nuk është përmbytur Vlora. Që kur vuri dorën e mallkuar Edi Rama përmbytet Vlora. Ja këto janë pamjet dhe ju s’keni parë sot e kësaj dite deri në momentin që ne flasim bashkë, kurrkush që të flasë, a thua se këto përmbytje ndodhin disa mijëra kilometra larg Shqipërisë, e jo në mes të qytetarëve shqiptarë, e të një moti që vazhdon dhe përkeqësohet, e të hidrocentraleve që janë detyruar të hapim portat e tyre për tu shkatërruar e rrënuar dhe që ndërkohë rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, pasi janë qytete të cilët pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë mbështetje, janë krejtësisht në mëshirë të fatit.
Të gjithë pra e kanë shumë të qartë që kjo qeveri nuk ka asnjë dëshirë, nuk ka as më të voglin predispozicion ti mbështesë qytetarët në ditën e tyre të vështirësisë, në ditët e hallit, por ka vetëm një detyrë të gënjejë 24 orë në 24 e të rrijë në televizor kur ka ndërmend të bëjë shfaqjet e turpshme dhe estradat e radhës me projekte imagjinare që nuk realizohen kurrë, pasi Shqipëria reale, ajo e vërteta është kjo nën ujë dhe pa asnjë dorë të qeveritarëve, të cilët i paguan sa qimet e kokës, por që janë atje vetëm për të grabitur, vjedhur dhe rrënuar.

SHKARKO APP