Petrit Vasili: Shteti ka rënë, tani fjalën e ka populli
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së: Kryeministri ka zgjedhur të bëjë gangsterin ordiner
Intervistoi: Herion Mesi
Prej disa ditësh në media po artikulohet historia e dhunimit të vajzës nga Kruja, Xhisiela Maloku nga ish- i dashuri Rexhep Rraja, që është djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, histori kjo e denoncuar nga nënkomisari i policisë, Emiljano Nuhu, ku ky i fundit pretendon se është kërcënuar me armë në zyrën e tij nga deputeti Rrahja në prani edhe të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, në mënyrë që ai të mos i shkonte më tej hetimeve të ngjarjes. Për kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, duke marrë shkas nga largimi nga vendi i oficerit të policisë thekson se të gjithë e kemi të qartë tashmë se jemi jo vetëm të tradhtuar nga shteti, por edhe të këcënuar, pasi oficeri Nuhu sapo denoncoi faktet u kërcënua personalisht në mënyrë banditeske nga kryeministri Rama, gjë që shënon fundin e shtetit dhe të autoritetit të ligjit.
Deklaratat e tij, Vasili i bëri dje gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ku shton se e gjithë kjo ndodh pasi Kryeministri ka zgjedhur të bëjë gangsterin ordiner, “të bëjë prokurorin, të bëjë ndëshkuesin dhe të mbyllë dhunën dhe krimin me autoritetin e karriges”.
Ndërsa arrestimin për “Përndjekje”, kreu i ligjvënësve të LSI-së e ka cilëson si akuza më e lehtë që mund t’i jepej djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja.
“Arrestimi i djalit të deputetit duke fshehur të gjithë akuzat dhe duke lënë vetëm një, është thjesht një provë e një shteti të rënë që ka tradhtuar kryq e themel qytetarët e vet. Është prova e gangsterizmit të ulur në institucione, është perfeksionimi i mekanizmit kriminal të ngritjes së alibive për dhunën dhe krimin dhe krijimin e një shteti satrap dhunues e shtypës për qytetarët e thjeshtë. Akti i oficerit Nuhu ishte një shërbim i madh për t’i nxjerrë sheshit këtë zgjyrë kriminale që po gërryen vendin”- thotë Petrit Vasili.
Intervista
Vasili prej disa ditësh ka një përplasje politike për sa i përket një deklarate të një oficeri të policë, Emiliano Nuhu, ku përfshihet edhe një vajzë e cila ka bërë denoncim për dhunim ndaj djalit të deputetit socialist Rrahman Rrahja, dhe po sipas dëshmive të Nuhut në media ka ndërhyrë edhe Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Krujës në tentativën për fshehjen e saj. Si e komentoni ju këtë ngjarje dhe çfarë qëndrimi ka LSI për këtë?
Është pa asnjë dyshim një moment shumë dramatik ky, pasi të gjithë e kemi të qartë tashmë se jemi të tradhtuar nga shteti dhe të gjitha institucionet kenë rënë. Jo vetëm kaq, por jemi edhe të kërcënuar pasi oficeri Nuhu sapo denoncoi faktet u kërcënua personalisht në mënyrë banditeske nga kryeministri Rama gjë që shënon fundin e shtetit dhe të autoritetit të ligjit, pasi Kryeministri zgjedh të bëjë gangsterin ordiner, të bëjë prokurorin, të bëjë ndëshkuesin dhe të mbyllë dhunën dhe krimin me autoritetin e karriges. Mbrojtja politike që ju është ofruar deputetëve socialistë të përfshirë në këtë aferë të ndyrë është tashmë një standard i qelbur amoral i njëjtë me atë që iu ofrua Tahirit kur e mbrojtën nga arrestimi, apo kur mbyllën çështjen e Agron Xhafës, apo mbrojtja e Elvis Roshit, apo deputetëve që ushtruan dhunë rrugaçërore në sallën e parlamentit. Pra, me një fjalë standardi politik i Edi Ramës është rrugaçëria. Shqipëria dhe shqiptarët pas bërjes publike të këtyre ngjarjeve kaq të rënda dhe tragjike e ka shumë të qartë se antishteti ka rrëmbyer institucionet dhe në krye të shtetit është një horr.
Ndërkohë, dje (të dielën) ka pasur zhvillime mbi këtë ngjarje, ku ndaj djalit të deputetit është ekzekutuar një urdhër arrestimi, një arrestim ky që vjen pas akuzave të kryeministrit ndaj oficerit Nuhu që është dhe denoncuesi i kësaj ngjarjeje. Si e shikoni këtë qasje? Dhe në gjykimin tuaj, a mbaron historia me arrestimin e djalit të deputetit?
Arrestimi i djalit të deputetit duke fshehur të gjithë akuzat dhe duke lënë vetëm një, është thjesht një provë e një shteti të rënë që ka tradhtuar kryq e themel qytetarët e vet. Është prova e gangsterizmit të ulur në institucione, është perfeksionimi i mekanizmit kriminal të ngritjes së alibive për dhunën dhe krimin dhe krijimin e një shteti satrap dhunues e shtypës për qytetarët e thjeshtë. Akti i oficerit Nuhu ishte një shërbim i madh për t’i nxjerrë sheshit këtë zgjyrë kriminale që po gërryen vendin.
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje zëra të ndryshëm nga opozita kanë nisur të kërkojnë radikalizim të qëndrimit të opozitës, me bojkot përfundimtar të Kuvendit dhe djegie mandatesh, a është koha për një qëndrim të tillë?
Opozita është në një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, një kuvend të uzurpuar nga rilindja ku dhunohet çdo procedurë parlamentare dhe ku një tufë uzurpatorësh sillen si çakenj me prenë e tyre politike dhe ku roli i kryetarit të Kuvendit është krijimi i të gjitha kushteve që kriminalizimi i Kuvendit të ulet këmbëkryq në sallën e parlamentit, duke e ngarkuar veten me përgjegjësi të shumëfishta morale, politike dhe ligjore. Tani fjalën e ka marrë në dorë populli dhe në çdo rast ne do të zbatojmë atë që populli do të kërkojë nga ne, dhe do të vendose populli, pasi vetëm vullneti i popullit është shërimi për një vend të gërryer nga krimi korrupsioni, dhuna e trafiqet.
Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku po diskutohej dhe çështja e Teatrit Kombëtar u bojkotua edhe nga anëtarët e LSI-së në këshill. Do të depozitohet nga ana e opozitës kërkesa në Kuvend për hapin e radhës për pengimin e shembjes së Teatrit?
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës ishte demonstrimi i uzurpimit të Bashkisë së Tiranës nga interesat kriminale dhe kthimin e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës në çirakë dhe shërbëtorë të krimit dhe asgjë më shumë. Ky drejtim i Bashkisë së Tiranës me këtë urrejtje kaq të madhe ndaj qytetit të Tiranës, veçanërisht, do të mbetet i fiksuar gjatë në memorien e qytetit si ditët më të zeza të zaptimit të kryeqytetit nga e keqja, nga provincializmi pa shërim, nga hipokrizia shkatërrimtare, nga nepsi i shfrenuar për korrupsion dhe histeria e shkatërrimit të çdo vlere të ndërtuar me vite prej vandaleve të shekullit të 21. LSI-ja në Këshilin Bashkiak nuk do të ndalet asnjë herë në denoncimin e këtij pushteti abuziv dhe të kapur kryekëput nga interesa klienteliste dhe të errëta, duke bërë gjithçka për të shpëtuar kryeqytetin nga kjo mynxyrë babëzie dhe injorance që ai nuk e ka parë kurrë më parë.
Para pak ditësh Ministri Gjerman që erdhi në Tiranë, tha që nuk futeshim në mënyrë automatike në Bashkimin Europian? Si e shikoni situatën politike në vend, pasi duket se dy kampet janë shumë larg një bashkëpunimi mes tyre për çështjen e integrimit?
Kryeministri po punon kundër integrimit europian dukshëm dhe me një strategji të mirëpërcaktuar. Integrimi shkon përkundër agjendës kriminale të kryeministrit dhe projektit të tij për kthimin e Shqipërisë në lavatriçe të parave të pista të tij, por dhe të atyre anë e mbanë Ballkanit, në veri dhe lindje të tij. Kësisoj e gjithë klima e konfliktit dhe tensionit politik që mbahet gjallë nga Kryeministri, si dhe kriminalizimi i jetës së vendit janë shinat e politikës së tij për ta mbajtur Shqipërinë larg integrimit dhe për të krijuar alibinë e bashkëpunimit të tij me realitete anti-euroatlantike që shkojnë kah lindja. Opozita do të vazhdojë e bëjë gjithçka që kjo agjendë e zezë anti-euroatlantike e kryeministrit të dështojë.
PS e PD kanë nisur riorganizimet në bazë në kuadër të zgjedhjeve, po në LSI çfarë po ndodh me strukturat, ka një takim në bazë, një riorganizim?
Procesi i riorganizimit në LSI ka nisur muaj më parë me intensitet tepër të lartë dhe me shumë përgjegjësi, dhe kjo është bërë e qartë nga Kryetarja e LSI-së, zj. Monika Kryemadhi. I gjithë riorganizimi ka në thelbin e tij strukturimin organizativ dhe ripërtëritjen me prurje të shumta të reja për t’iu përgjigjur pakënaqësisë shumë të madhe në rritje të qytetarëve, të cilët i kanë sytë te opozita dhe ku LSI-ja ka qenë e vendosur pa asnjë hezitim gjithnjë në krah të tyre. Ky vitalizim i vazhdueshëm, duke ruajtur fokusin tek përfaqësimi i të gjithë shtresave shoqërore, por duke ruajtur prioritetin e përfaqësimit masiv të të rinjve që janë edhe ata që po vuajnë në mënyrë tragjike pasojat e pushtetit kriminal dhe pa perspektivë të Edi Ramës.