Petrit Vasili deklaron në Berat: LSI do jetë forcë e parë politike në zgjedhje
Beteja mes dy kandidatëve për kryeministër, Petrit Vasilit dhe Edi Ramës, të dy me origjinë nga Vunoi në Zonën e Bregut, duket se do jetë e ashpër. Sondazhet tregojnë një rënie te kuotave të Edi Ramës pas dorëheqjes nga zgjedhjet në Kavajë nga frika e PD-së. LSI vetëm forcohet, ka thënë Petrit Vasili, kryetari i LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi takime me anëtarësinë në Kuçovë dhe në Berat, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të LSI-së. Të pranishëm ishin kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, kandidatët Silva Caka, Nasip Naço, Gledjon Rehovica, Jola Misto, etj.
Duke marrë fjalën në takimin e zhvilluar në Kuçovë, Vasili tha se objektivi i LSI-së është të dalë forcë e parë dhe se kjo forcë politike i ka të gjitha përgjigjet e qarta dhe njerëz të aftë për të qeverisur.
“Kemi vetëm një objektiv dhe ky është të dalim forcë e parë politike. Jemi shumë të gatshëm dhe jemi të përgatitur që të qeverisim dhe i kemi të gjitha përgjigjet të qarta nga njerëz të zotë. Kemi një shans për rininë, kemi një shans për punësimin, por kemi një shans edhe për pensionistët. Kemi një shans të ri edhe për bujqësinë, kemi një shans edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Pra, i kemi të gjitha përgjigjet e gatshme që si forcë e parë të jemi fitues”, – theksoi Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Kandidatja për deputete në qarkun e Beratit, Silva Caka, u shpreh se është përpjekur maksimalisht që të jetë zëri i qytetarëve në Parlament dhe vlerësoi të gjithë kandidatët për deputetë që janë në listën e LSI si më të mirët dhe të duhurit për Shqipërinë.
Ndërsa, kandidati tjetër për deputet Nasip Naço, tha në fjalën e tij se LSI-ja u rrit, sepse ecën më shpejt se të tjerët, por sot kjo forcë kërkon që t’i japë një shans të gjithëve.
I pranishëm në këto takime ishte edhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e tij anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, në qytetin e Kuçovës dhe Beratit.
Rinia mbetet një forcë e madhe e LSI nga ku mendohet se do marrë mbi 60 përqind te votave si dhe do të sfidojë të partitë e tjera politike. Duket se beteja do jetë mes PS dhe LSI për vendin e parë.