Peza: Endira Bushati është rikthyer në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të AMA-s

Peza thotë se Bushati nuk do të qendrojë në këtë post, duke qenë se tashmë Komisioni i Medias ka dërguar në Kuvend katër kandidaturat për kreun e ri të AMA-s.

“Sapo u njoha zyrtarisht me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, që ka rikthyer në punë kryetaren e AMA, znj. Endire Bushati.

Për shkak të interesit të madh publik dhe një keqkuptimi të krijuar nga mediat që e raportuan dje këtë lajm, dua të sqaoj se:

Vendimi për pezullimin e znj. Endire Bushati nga detyra e kryetares së AMA ishte shqyrtuar në datën 20. 06.2014 nga Gjykata e Rrethit Gjyqesor Tiranë.

Kërkuesi i kësaj mase ka qenë Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka akuzuar znj. Bushati për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Në bazë të kallëzimit të shoqërisë DigitAlb sha, në datën 23 maj 2014, Prokuroria e Tiranës kishte rregjistruar kallëzimin penal sepse kjo shoqëri kishte konstatuar se transmetimet e kanaleve dhe programeve të saj, në mënyrë të paautorizuar e për rrjedhojë, të kundraligjshme, transmetohen nga subjekte të licensuara ose jo nga AMA, siç janë operatorët televizivë kabllorë, ose platforma numerike satelitore.

Znj. Bushati është akuzuar se në funksionin e kryetares së AMA ka lejuar që këto subjekte të përfitojne në mënyrë të paligjshme materialisht, në formën e shitjes së programeve të tyre dhe transmetimeve të paligjshme tek publiku i gjerë, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm kompanisë akuzuese, por edhe TV kombëtare.

 Znj. Bushati akuzohet se nuk ka filluar procedurën administrative ligjore për të verifikuar këto pretendime.

Pasi janë renditur edhe një seri tjetër shkeljesh të pretenduara nga pala akuzuese, i është kërkuar gjykatës që të çmojë se qendrimi i znj. Endire Bushati në detyrën e kryetares së AMA ndërkohë që bëheshin hetimet për këtë çështje, mund të sillte pasoja për hetimin korrekt të veprimtarisë së KKRT, tashmë AMA.

 Në përfundim të procesit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendosi pezullimin e ushtrimit të detyrës së kryetares së AMA, znj. Endire Bushati, deri në përfundimin e hetimit të kallëzimit penal Nr. 4035, të vitit 2014 për kryerjen e veprës penale “shpërdorim të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ky vendim është shpallur më 20 qershor 2014.

Dje Gjykata e Apelit, pas ankimimit të znj. Bushati e hoqi këtë masë.

Kaq. Me sa shihet shumë qartë, kjo çëshjte dhe kjo masë e marrë nga Gjykata për znj. Bushati, nuk ka asnjë lidhje me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë, për shpalljen e 4 vendeve vakante në AMA.

Tre nga këto vende ishin për anëtar të AMA, ku 2 prej tyre janë zgjedhur tashmë dhe një tjetër i mbetet opozitës ta plotësojë. Ndërsa vendi i katërt vakant është ai për kryetarin e AMA.

Znj Bushati është në detyrë derisa të zgjidhet kryetari i ri i AMA mes 4 kandidaturave që i janë dërguar tashmë nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendit për të zgjedhur njërin mes tyre, në seancën plenare”, thuhet në reagimin e Pezës.

SHKARKO APP