Pjerin Ndreu: Me LSI-në bashkë jemi më të fortë

Deputet i Partisë Socialiste  dhe anëtarë i Komisionit të Sigurisë, Pjerin Ndreu: Akuzat ndaj Vangjush Dakos Qesharake

Intervistoi: Marjana Doda

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Pjerin Ndreu, deputet i Partisë Socialiste, flet për deklaratën e ambasadorit amerikan Donald Lu, që kërkoi arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, reformën në drejtësi si dhe të ardhmen e koalicionit PS-LSI. Lidhur me qëndrimet e Ambasadorit Amerikan, Ndreu shprehet se, shqetësimet e ngritura jenë të drejta.

Sipas tij, reforma në drejtësi do të shpërbëjë për të qartësuar gjërat dhe për të ndëshkuar fenomenet negative. Lidhur me vazhdimësinë e koalicionit PS-LSI, deputeti Ndreu shprehet se, “në PS ka më shumë luajalitet, kjo është dukshme. Por varet nga objektivat dhe këndvështrimet e secilit. Unë kisha dëshirë të ishim bashkë se jemi më të fortë. Por gjithsesi Partia Socialiste ka kapacitete dhe kredenciale për të fituar një garë. Gjithsesi ne kemi një koalicion që po ecën”.

Si deputet i Komisionit të Sigurisë dhe ish-drejtues i lartë i forcave të rendit, Pjerin Ndreu shprehet se problemi i hashashit kërkon një plan kombëtar që nuk fokusohet vetëm te policia. “Ky është problem social që duhet të angazhoje individin, pushtetin lokal, atë qendror, OJQ, policinë, drejtësinë etj, në një luftë të harmonizuar për parandalimin e fenomenit”,- deklaron Pjerin Ndreu.

Ambasadori amerikan, Donald Lu deklaroi se Amerika ka kërkuar arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’ të drogës dhe krimit. Duket se ky është një kushtëzim në marrëdhëniet në vazhdim, Shqipëri-SHBA. Nisur dhe nga zhvillimet e fundit si rasti i Klement Balilit, cilat janë sipas jush, arsyet që nuk po kryhen arrestimet?

Është normale kjo kërkese. Ka ardhur koha që të përgjigjen para ligjit gjithë ata që kanë gatuar këtë katrahure. Ka shumë zhurmë, dizinformacion, akuza që kanë ngritur një tymnajë ku opinioni nuk sheh të vërtetën. Me e keqja është se autorët e kësaj tymnaje janë pikërisht ata që janë kumbarët e kësaj gjendje, kështu që realisht ka ardhur koha. Reforma në drejtësi do verë pikat mbi i. Prandaj ka rezistence, sepse shumëkush ka kusure për të larë. Por gjëra të mira priten të ndodhin.

Ju keni një eksperiencë të  gjatë në polici,dhe si drejtues i saj. Si e komentoni ju dështimin e operacionit me 200 polic për arrestimin e Balilit. A është vetëm çështje dekonspirimi i operacioneve?

Duhet të di detajet të jap gjykim. Problemi është nëse vërtetë ka qenë në banese apo jo. Nëse ka qene dhe ka ikur, atëherë diçka nuk ka funksionuar në zhvillimin e operacionit. Dekonspirimi është e para gjë që të shkon në mendje. Por jo domosdoshmërish duhet të ketë protagoniste në kupolën e policisë apo shtetit. Ndoshta dhe policia lokale ka probleme. Gjithsesi ngelet për t’u parë. Nuk më pëlqejnë paragjykimet dhe etiketimet pa prova të fajësisë dështimit të filan apo fisteku. Por nuk është hera e parë që dështon një operacion. Ka ndodh dhe ndodh në të gjithë botën kjo.

Së fundi, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është vënë në qendër të kritikave pas lëshimit të një formulari nga Bashkia e Durrësit për punësimin e Lulëzim Berishës. Lulzim Basha kërkoi ndjekje penale dhe shkarkim të Dakos. Të tjerë në PD e kanë akuzuar z. Dako dhe për lidhje të dyshimta. Cili është qëndrimi juaj për këtë ngjarje?

Kjo është histori banale. Tentativa e sforcuar për t’ja veshur Dakos lirimin është qesharake para se të shkoje te Dako që vetëm konfirmon që ofron pune për një të dënuar, është një karakteristike vlerësimi e sjelljes dhe e personalitetit të të dënuarit gjatë qëndrimit në burg që e bën drejtoria e burgut ku vuhet dënimi. Me anë të këtij vlerësimi tregohen arsye pse personi nuk ka me rrezikshmëri shoqërore, është edukuar, risocializuar dhe mund të dale, pastaj është gjykata ajo që jep verdikt. Zhurma për Dakon fsheh arsyet e vërteta të lirimit. Një ofrim pune nuk influencon as 5% në lirimin e një të burgosuri kushdoqoftë.

Ka një përplasje të përhershme dhe kalim përgjegjësish mes Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave për ngjarjet e rënda kriminale në vend. A i jep fund këtij debati mes tre institucioneve reforma në drejtësi?

Kjo është e lashtë këtu. Por mendoj se reforma në drejtësi do qartësoje ujërat. Do pastrojë drejtësinë pikësëpari. Pastaj nëpërmjet drejtësisë së pavarur e të pakorruptuar do ndiqen të gjitha rastet e korrupsionit dhe të veprimeve të paligjshme që bëjnë institucionet e tjera, policia apo kushdo.

Çështja e kultivimit të kanabisit në Shqipëri ka nisur të përmendet dhe në deklaratat e eurodeputetëve dhe grupimeve parlamentare të vendeve të BE-së, siç është rasti i CDU-së në Gjermani. A rrezikohen negociatat nga mosefiçenta e luftës kundër narkotikëve?

Ky po është një problem. Por nuk ezaurohet vetëm me policë. Ky është problem social që duhet të angazhoje individin, pushtetin lokal, atë qendror, OJQ, policinë, drejtësinë etj, në një luftë të harmonizuar për parandalimin e fenomenit. Pa masa parandaluese nuk mund të bëhet asgjë. Delegimi i përgjegjësisë vetëm tek policet është po aq me pasoja sa dhe shfaqja e fenomenit sepse do e fuste në qorrsokak të ardhmen e luftës antikanabis. Ka teoriciente injorantë në politike, sidomos në opozite që as se kanë haberin si bëhet kjo pune, veç sa llapin tëre ditën e nuk thonë qoftë një formule zgjidhjeje.

Z. Ndreu, jemi vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe PS do të kërkoj ripërtëritjen e kontratës 4- vjeçare me qytetarët. Si deputetet i PS-së, por edhe si qytetar, mendoni se mandati i parë i PS-së i plotësoi pritshmëritë dhe premtimet?

Mandati i parë i PS ka qenë i vështirë. Gjendja e vendit ishte kaotike dhe lëngonte. Financat ishin një grope e paimagjinueshme. Imagjino një shtëpi që vdes i zoti i shtëpisë dhe e le në borxhe të mëdha. Ca duhet të pretendohet. Shqiptarët i duan gjërat për një ditë. Kanë të drejtë. Por nuk bëhen. Varfëria këtu është e kultivuar dhe nuk përmirësohet me fjalë goje. Gjithsecili duhet të jetë i ndërgjegjshëm se po bëhet një pune e stërmundimshme për ta nxjerre vendin nga kriza. Qeveria ka ndërmarrë reforma të dhimbshme por që një nga një po japin efekte pozitive, na duhet edhe një 4 -vjeçar që të vlerësojmë. Një shtet rrumpallë si ai i Sali Berishës nuk i duhet as dreqit. Nuk ka ndonjë miop që beson se dyshja Berisha-Basha janë zgjidhja e problemit. Ky vend po vuan pikërisht pasojat e katastrofës së këtyre njerëzve që nuk lanë gjë pa bëre për 8 vjet. Shqiptarët janë të zgjuar dhe s’kanë si bëjnë hapa pas. Vetëm fakti që zvarritet reforma në drejtësi nxjerr zbuluar autoret e kasaphanës që ka ndodhur në këtë vend.

Mendoni se në zgjedhje PS-ja duhet të shkojë në koalicion me LSI-në apo më vete?

Në PS ka më shumë luajalitet, kjo është dukshme. Por varet nga objektivat dhe këndvështrimet e secilit. Unë kisha dëshirë të ishim bashkë se jemi më të fortë. Por gjithsesi Partia Socialiste ka kapacitete dhe kredenciale për të fituar një garë. Gjithsesi, ne kemi një koalicion që po ecën.

SHKARKO APP