Pjerin Ndreu merr vendin e Ademit, në krye të Shoqatës së Bashkive

Shkarkohet kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi si kryetare e Shoqatës së Bashkive dhe zgjidhet kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Vendimi u dha në mbledhjen e sotme, ku nënkryetar u zgjodhën Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli.  Ndreu nuk pranoi të komentonte mbi pretendimet se shkarkimi i Voltana Ademit u bë në mënyrë që kjo shoqatë të tërhiqte padinë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet bashkiake të vitit 2019.

“Shoqata kishte 2 vite që nuk mblidhej. Në këto kushte kërkuam mbledhjen e asamblesë. Ne nuk merremi me fantazira, kjo është një shoqatë që vepron dhe në shoqatë aderojnë bashkitë, jo kryetarët. Nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit. Ne përfaqësojmë bashkitë dhe nuk ka të drejtë askush ta privatizojë. Janë njoftuar të gjithë që të vijnë. Ama ligjshmëria e takimit dhe vendimmarrja është komplet sipas statutit, kjo është e qartë dhe e padiskutueshme”.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, reagoi pas shkarkimit nga posti i kryetares së Shoqatës së Bashkive. Sipas saj, “sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë nga anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë”.

“Shqyrtimi dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën. Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të Partisë Socialistë tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime të ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cenon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore”, shprehet Ademi.

 

SHKARKO APP