Plehrat/ Përçahet koalicioni i majtë, Partia e Gjelbër: JO importit të mbetjeve, të vendosë populli
Ligji i qeverisë për importin e mbetjeve që pritet të miratohet sot në Kuvend ka shkaktuar dhe çarjen e aleatëve të koalicionit mazhoritar “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, pasi ndryshe nga socialistët, Partia e Gjelbër kërkon referendum për ligjin e importit të plehrave.
Partia e Gjelbër i bën thirrje deputetëve të mazhorancës qeverisëse që të kërkojnë në seancën e së enjtes 22 Shtator 2016, heqjen nga rendi i ditës të këtij amendimi.
“Importi i mbetjeve është një çështje madhore që ka të bëjë me sigurinë mjedisore dhe shëndetësore si dhe me të ardhmen e qytetarëve. Për vetë rëndësinë që paraqet kjo çështje, çdo ndryshim ligjor në këtë drejtim, duhet t’i shtrohet për miratim votuesve Shqiptar nëpërmjet referendumit”.
Deklarata
Ndjeshmëria e lartë qytetare dhe nevoja për një politikë ndryshe mjedisore bëri që kualicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ta përfshinte amendimin e ligjit për ndalimin e importit të mbetjeve, në programin e vet elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës.
Kjo gjë që u bë realitet me fitoren e zgjedhjeve. Miratimi i amendimit ligjor për ndalimin e importit të mbetjeve bëri që të mos organizohej më referundimi popullor. Ndalimi i importit të mbetjeve u paraqit si një angazhim programor që mori qeveria dhe mazhoranca për të pastruar Shqipërinë.
Sot, pas tre vjetësh, jemi në situatën ku ligji për importin e mbetjeve ngrihet sërish si shqetësim qytetar dhe ambientalist për shkak të një nisme të depozituar në Kuvend nga deputetë të të njëjtës mazhorancë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për lejimin sërish të importit të mbetjeve.
Ky ndryshim ligjor i propozuar është në kundërshtim me parimet dhe politikat për mbrojten e mjedisit dhe gjithashtu të shëndetit të qytetarëve. Gjithashtu, ndër të tjera do të krijojë probleme edhe për trajtimin e mbetjeve që prodhohen nga tregu vendas.
Marrja e inisiativës parlametare nga deputetë të mazhorancës për të lejuar importin e mbetjeve bie ndesh me programin dhe angazhimin politk të ndërmarrë nga kjo mazhorancë për këtë çështje tre vjet më parë. Mbështetja me votë në parlament e lejimit të importit të mbetjeve do të dërrmonte përfundimisht besimin e qytetarëve se kjo mazhorancë, ndryshe nga qeveritë paraardhëse, do të ndiqte një politikë ndryshe me mjedisin, një politikë më miqësore dhe të qëndrueshme.
Janë të shumtë argumentet pse nuk duhet lejuar importi i mbetjeve, por më kryesorja është se në situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, ky akt ligjor do të thellonte krizën mjedisore, ekonomike si dhe shtimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.
Për sa më sipër, Partia e Gjelbër i bën thirrje deputetëve të mazhorancës qeverisëse që të kërkojnë në seancën e së enjtes 22 Shtator 2016, heqjen nga rendi i ditës të këtij amendimi.
Kjo gjë duhet bërë jo vetëm për shkak të angazhime të ndërrmarra nga maxhoranca ndaj qytetarëve por dhe si një detyrim ndaj firmëtarëve të referendumit që ndërprenë inisiativën e tyre për t’i dhënë besimin kësaj maxhorance.
Importi i mbetjeve është një çështje madhore që ka të bëjë me sigurinë mjedisore dhe shëndetësore si dhe me të ardhmen e qytetarëve. Për vetë rëndësinë që paraqet kjo çështje, çdo ndryshim ligjor në këtë drejtim, duhet t’i shtrohet për miratim votuesve Shqiptar nëpërmjet referendumit. Le ta thonë qytetarët fjalën e fundit!
KOHA JONË SONDAZH

