”Polic ke qenë, polic vijon të jesh”/Kryemadhi: Ka të drejtë Lleshaj, në Ministri ka veç kriminelë

Debati në seancën e së enjtes, mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj ku i thoshte deputeti Murrizi ”Polic ke qenë, polic vijon të jesh”, ka sjellë reagimin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Nga Pogradeci, Kryemadhi tha se Lleshaj tallet me polici, pasi tani më në Ministrinë e Brendshme nuk ka polic që japin jetën për ligjin.

“Tallet me policët sepse në Ministrinë e Brendshme nuk ka më polici që janë të gatshëm që të japin jetën, për të mbrojtur jetën e ligjin, ka trafikantë që janë të dënuar jashtë Shqipërisë që kontrollojnë patrullat e policisë. Sot duhet të jesh trafikant, oligark që të kesh përkëdheljen e Ramës”, tha Kryemadhi.

*Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së në Pogradec 

Mirë se ju gjeta dhe faleminderit Gentit, Marjetës dhe të gjithë ekipit të LSI-së në Pogradec për këtë mikpritje me thënë të drejtën shumë të ngrohtë, edhe pse jemi jashtë, që ne që vijmë nga Tirana na duket ftohtë në fakt, por ky ajri i freskët na ka freskuar dhe ringjallur me një optimizëm shumë të mirë dhe tani e kuptoj pse pogradecarët rrojnë shumë, për shkak të ajrit, për shkak të liqenit dhe neve më shumë na mbyt smogu i Tiranës. Në fakt dëgjova edhe doktorin, por edhe Endritin, para se të vinim këtu ishim me disa gra në Hudenisht ku po bisedonim dhe në të gjithë Shqipërinë kudo ku shkon, kudo ku ndalon, edhe në një kafene të humbur buzë rrugës, është i njëjti problem: më kanë ikur fëmijët. Më ka ikur djali, më ka ikur vajza, më ka ngelur shtëpia bosh. Kur futesh më thellë, është si puna e atij zotërisë që tha Endriti, më kanë ngelur prodhimet pa shitur. Dikush që i shet nën kosto thotë lirova magazinën, dikush thotë do të më kushtonte më shtrenjtë që të ishin të kalbura dhe t’i hidhja në kanal, sepse do paguaja transport. Dikush tjetër thotë më mirë t’i pres pemët dhe t’i bëj dru për zjarr, sesa t’i bëj fëmijët dembelë e kështu me radhë.
Çdo ditë kudo që të shkosh takon vetëm njerëz, të cilët jo vetëm që janë të mërzitur, të nevrikosur, por mbi të gjitha po plasin nga një urrejtje e tmerrshme që kanë brenda vetes së tyre. Dhe ku i pyet çfarë ndodh, të gjithë bërtasin. Për të rritur fëmijët tha një zonjë atje kisha disa peshq dhe më kërkuan legalizimin tha. Unë jam me fëmijë të sëmurë tha, burri më ka vdekur, një fëmijë tjetër e kam emigrant, nuk ma legalizojnë tha, sepse duan që t’i shkosh nga mbrapa, edhe pse kanë thënë që do t’i bëjmë legalizimet falas. Dikur tjetër thuhet nuk vijmë dot në takim se na heqin nga puna. Diku tjetër dëgjon një që thotë jam i sëmurë, e dëgjojmë ministren që thotë ty do të të shërojmë, kurse ty nuk do të të shërojmë. Dëgjojmë në televizor Ministrin e Brendshëm që tallet me policët, edhe pse është ministri i policëve, e ndërkohë shikojmë absurditete të tjera më të mëdha nga mëngjesi deri në darkë, të një kryeministri në ikje, që tallet me shqiptarët.
Në fakt do kthehem vetëm pak për Ministrin e Brendshëm, që tallet me policët, sepse në Ministrinë e Brendshme nuk ka më policë që janë të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur ligjin, për të mbrojtur qytetarët. Në polici ka trafikantë, të cilët janë të dënuar jashtë Shqipërisë, të cilët janë ata që kontrollojnë patrullat e policisë. Ne heqim Kryetarin e Bashkisë Valdrin Pjetrin si trafikant nga Shkodra, ndërkohë vëllain e Valdrinit e kemi në SHKB, që qëllon, godet dhe përzë patrullat e policisë, kur kërkojnë për të parë se çfarë ndodh. Prandaj është kjo urrejtje e Ministrisë së Brendshme për Policinë e Shtetit. Prandaj e quajnë turp të veshësh uniformën e dalë boje të një polici, i cili është i gatshëm për një rrogë të papaguar për punën që bën,  të lëri edhe fëmijët e tij jetim. Dhe në fakt sot duhet të jesh trafikant, duhet të jesh kriminel, duhet të jesh oligark, që të kesh përkëdheljen e qeverisë së Edi Ramës.
Po të vish në Pogradec dhe të futesh në takime me banorët e qytetit apo edhe me banorët e komunave, me fermerët, t’u flasësh për kodin zgjedhor nuk i bën përshtypje fare. Sepse kodi zgjedhor nuk është se i krijon vende pune. Kodi zgjedhor nuk i shet prodhimet e tyre. Kodi zgjedhor nuk i krijon mundësinë që fëmijët e tyre të kthehen nga emigracioni në shtëpitë e tyre. Kodi zgjedhor nuk i krijon as jetë më të mirë për momentin, por nuk i krijon as mundësi ushqimi për fëmijët e tyre. Nuk i jep as ilaçe për të sëmurët, nuk u jep as shërbim mjekësor më të mirë. Nuk u jep as shërbim shëndetësor më të mirë. Këtë të thonë. Por në fakt kodi zgjedhor është elementi i parë që tregon demokracinë e një vendi dhe kur demokracia e një vendi cenohet, fillon me një proces zgjedhor.
Më keni dëgjuar që them që kodi i ri zgjedhor i jep opozitës 100 mandate. Është e vërtetë. Në qarkun e Korçës, pra bashkia Pogradec, Devoll, Maliq, Korçë dhe Ersekë, ne si LSI kemi marrë 19 mijë e 600 vota. Me kodin që ka miratuar Edi Rama sot ne do të kishim 2 deputetë në Parlament. Me kodin e vjetër LSI-ja ka pasur vetëm një deputet në Parlament. Pse? Sepse kodi i vjetër i krijon mundësinë për të hyrë në Parlament partive të reja. I krijon mundësinë për të hyrë në Parlament kandidatëve të rinj, edhe nëse janë si individë. Ndërsa kodi i ri nuk i krijon asnjë lloj mundësie partive të reja, por përkundrazi i eliminon ato. Ndërsa LSI-së i jep prioritet për ta shumëfishuar rezultatin me vende në Parlament, ndërkohë që aftësitë dhe mundësitë për të rritur më shumë numrin janë jashtëzakonisht më të mëdha.

SHKARKO APP