Policia e Shtetit: Mediat të na pyesin ne për drogën. Nuk ka raport sekret
Policia e Shtetit ka deklaruar sot se nuk ka asnjë raport sekret të agjencive partnere për kultivimin e drogës në Shqipëri. Drejtoria e Policisë së Shtetit fton mediat që t’i drejtohen asaj për ccdo informacione që ka të bëjë me kultivimin e hashashit.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Referuar disa njoftimeve në media si dhe disa deklaratave të ndonjë subjekti politik lidhur me ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, bëjmë me dije opinionin publik se nuk ka egzistuar e nuk ekziston asnjë raport sekret apo i çdo natyre tjetër nga asnjë prej agjencive partnere ligjzbatuese lidhur me këtë çështje.
Bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me partnerët është i shkëlqyer, e falë shkëmbimit intensiv të informacionit janë arritur rezultate pozitive të pakrahasueshme më të kaluarën. Bashkëpunimi konkret me partnerët Italianë, si dhe angazhimi i Policisë në shkatërrimin e çdo parcelë të evidentuar, ka shënuar intensifikim maksimal vitet e fundit.
Është kjo arsyeja që është rritur eficienca e Policisë së Shtetit në identifikimin e kultivimit dhe shkatërrimit të narkotikëve. Lajme të shpikura për raporte sekrete, jo vetëm synojnë denigrimin e punës së Policisë, por synojnë gjithashtu dëmtimin e punës së përbashkët të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë, çka ndikon edhe në dëmtimin e imazhit të vendit. Policia e Shtetit fton mediat që për çdo çështje për të cilën kërkohet informacion nga Policia e Shtetit, të interesohen pranë burimeve zyrtare të saj, duke u garantuar transparencë të plotë e gatishmërinë e strukturave për të respektuar legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit. Gjthashtu, Policia e Shtetit fton çdo subjekt politik të ndalë akuzat ndaj Policisë dhe punës së saj. Sulmi ndaj Policisë i bën nder vetëm krimit”.
KOHA JONË SONDAZH

