Policia e Shtetit: Të rinjtë po mbajnë bllokuar rrugët. Shpërndahuni ose do ndërhyjmë
Pas protestave të zhvilluara ditën e sotme në pothuajse mbarë Shqipërinë, ndërkohë që në Tiranë protesta po vijon, Policia e Shtetit thotë se ka ende të rinjë që vijojnë që të mbajnë të bllokuar rrugët. Thirrja e Policisë është që qytetarët të shpërndahen, ose forcat speciale do të ndërhyjnë.
‘Në disa qytete të vendit grupe personash, kryesisht të rinj, janë konfrontuar me punonjësit e Policisë dhe në disa raste kanë bllokuar edhe lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të qytetarëve.
Nisur nga situata e krijuar, veçanërisht në Tiranë, ku grupe të rinjsh vijojnë të kundërshtojnë thirrjet e Policisë për t’u shpërndarë dhe për të liruar rrugët, Policia e Shtetit bën thirrje që personat që kanë bllokuar rrugën të shpërndahen menjëherë pasi punonjësit e Policisë do të ndërhyjnë në zbatim të ligjit për të shpërndarë protestuesit, me qëllim lejimin e lëvizjes së lirë të autometeve dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit, edhe një herë shpreh vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, dhe nuk do të tolerojë veprime të cilat bien ndesh me ligjin dhe cenojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve”.