“Policia jonë ka lënë pas shtetet e BE”. Shpërthejnë rrjetet sociale ndaj deklaratës se Ministrit të Brendshëm

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri sot daljen e parë zyrtare në publik. Së bashku me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri prezantoi një anketim të qeverisë suedeze mbi perceptimin e publikut shqiptar për Policinë e Shtetit. Edhe pse u quajt raport i qeverisë suedeze, asnjë ndërkombëtar nuk foli në takim.

Ndonëse Bledi Çuçi mbetet ministër civil dhe i kulturuar, përsëri ministrinë do t’ia drejtojë vetë kryeministri, aq me tepër tani para zgjedhjeve politike.

Ministri tha se në bazë të anketimit policia jonë krahasohet me policinë e vendeve më të mira të BE dhe është institucioni më i besuar i qytetarëve shqiptarë dhe është e depolitizuar. “Kemi lënë mbrapa edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, apo Franca, apo Spanja, sa i përket perceptimit sa e politizuar është Policia e Shtetit në vendimet dhe veprimet që ajo merr”,- tha ndër të tjera Ministri Çuçi.

Një deklaratë e tillë, e bërë vetëm pak ditë pas protestave masive në Tiranë për vrasjen nga një punonjës i policisë së Klodian Rashës dhe pas akuzave për dhunë të policisë ndaj qytetarëve dhe gazetarëve, ka shkaktuar një stuhi reagimi në rrjetet sociale.

Por për të kuptuar sesi është imazhi i policisë së shtetit te qytetarët nuk është nevoja të kryhen anketa të sofistikuara dhe as të paguhen para për sondazhe dhe konferenca luksoze. Mjafton që të shohësh se çfarë shkruajnë qytetarët në faqen e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe të Kryeministrit Edi Rama për mënyrën sesi funksionon Policia e Shtetit. Me emër dhe mbiemër, në këto faqe zyrtare të qeverisë, qytetarët denoncojë raste konkrete abuzimesh nga efektivët, si dhe reagojnë për akte të caktuara të qeverisë dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.

Qëndrimet e qytetarëve dhe përvoja e tyre për Policinë e Shtetit të Rilindjes është shumë larg atyre që thotë qeveria për reforma të suksesshme.

“Koha Jonë”, po publikon një pjesë të reagimeve që flasin për mënyrën sesi qytetarët e vlerësojnë Policinë e Shtetit dhe si i cilësojnë krahasimin e forcave të rendit këtu, me ato të BE.

Gazetarja e TCH në emisionin Open, Anila Hoxha e dërmoi ministrin Çuçi kur i tha se a keni frikë ju nëse të lëvizni nëpër rrugicat e errëta të rrugëve. Ministri iu shmang përgjigjes, duke lenë të nënkuptohej se nuk ia mbante të lëvizte. Nënteksti i gazetares ishte se nuk ka siguri publike.

SHKARKO APP