Politika një ditë para vizitës së Ramës në Beograd

Edi Rama mund të jetë ashtu si të gjithë ne një politikan me të metat e tij por nëse ka një gjë që xhelozia infantile duhet ta lërë mënjanë është se vizita e tij në ish-kryeqytetin e ish-Jugosllavise përfaqëson statusin e ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku janë në rajon.

Cdo gjë tjetër është vec dengel.

Edi Rama po shkon në një qytet që ka qenë qendra e antishqiptarizmit. Atij i duhet dhënë përkrahje duke lënë mënjanë cdo “gozhdë” që secili mendon se ben “interesantin” duke e sulmuar.

Kjo vizitë mund të jetë shumëcfarë por ajo nuk mund të kufizohet si vetem bilaterale. Gjasat janë që kumti i saj të jetë shpresë dhe një ofertë e re që shqiptaret nuk po jua “lypin” serbëve.

Ajo është një mundësi dypalëshe dhe një ftesë për një rrugëtim të ri pa shmangur fantazmat apo plagët e së kaluares. Ato janë aty dhe sikur të duam ti mohojmë me frazeologji diplomatike. Edhe për këtë arsye vizita e Ramës në Beograd ngjan si një vizitë në Kështjellën e Makbethit….

I gjatë dhe me një kollare që shpresoj të jetë “protokollare”.. Edi Rama po shkon i frikshëm në Beograd…Ai është i ndryshëm pasi nuk e ka “blerë” karrierën e tij në Beograd. Dhe thuajse si në ëndrën më të keqe të një antishqiptari beogradas, kryeministri shqiptar shfaqet në kryeqytetin e vjeter sllav si “I BARABARTE”…

Ky i fundit i cili është një titull më se normal në Europë, për shqiptarët ai është fituar me cmimin më të lartë të mundshëm ndaj historisë shqiptaro-serbe…

Kryeministri ynë në këtë kuptim është përfaqësues i gjithë asaj që quhet shqiptare në historinë e dhimbjes ballkanike. Ai nuk po shkon të “blejë” karrieren e tij personale në Beograd por të ofrojë kërkesën e një bashkëjetese të re midis shqiptarëve dhe serbeve. Ai nuk po kërkon të provoje cfare ka ndryshuar tek shqiptarët.

 E kundërta është e vërtete ndaj dhe nervozizmi serb është kaq i qartë. Dhe kanë të drejtë… Një piktor surealist po shkon ti provoje publikut ndërkombëtar në se serbët kanë ndryshuar apo jo, pas dramave që ata i dhuruan Ballkanit dhe vetetvetes.

Kjo edhe të tjera, bën që Edi Rama të na përfaqësojë të gjithëve në kumtin e kësaj vizite.  Nesër ai bën një rrugë të vështirë, jo vetëm për të, ndaj dhe i duhemi të gjithë në krah.

Rrugë të mbare mik!”, shkruan në Facebook deputeti Pandeli Majko.

 

Aldo Bumçi: Rama të mos flasë në emër të gjithë shqiptarëve në Serbi

Opozita ruan te njëjtat rezerva per vizitën e kryeministrit Edi Rama ne Serbi.

24 ore para se delegacioni shqiptar te mbërrije ne Beograd, ish-ministri i jashtëm Aldo Bumçi thekson se procesi qe shoqëroi përcaktimin e kësaj vizite nuk ishte aspak normal; dhe do te kishte qene me e drejte qe vizita e shefit te ekzekutivit shqiptar te paraprihej nga vizitat e ministrave per te normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.Megjithatë, Bumçi pranon se duhet punuar për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, pasi marrëdhëniet me Serbinë janë me pak te zhvilluarat krahasuar me marrëdhëniet qe Shqipëria ka me vendet e tjera te rajonit.

“Koha e dhënies se dorës, se takimeve thjesht per takim e per fotografinë e radhës, ka kaluar ne Ballkan. Nuk kane me vlere takime sa per te thëne qe kryeministri rama shkoi ne Beograd, kjo është nje vizite historike. Nuk është  historike është nje vizite rutine, kane qene zv/kryeministra me pare; duhet te vije me nje produkt”, thotë ai për Vizion Plus.

Sipas nënkryetarit te Komisionit te Jashtëm parlamentar, çështja kryesore qe kryeministri Rama duhet te ngrejë jane shqiptaret qe jetojnë ne Serbi; te cilët gëzojnë me pak te drejta se kudo ne rajon.

“Mund te përmend nje shembull qe zoti Rama duhet ta ngrejë me force, qe është njohja e diplomave te shqiptareve qe jetojnë ne Serbi qe kane studiuar ne Tirane e nuk u njihen diplomat. Pra imagjinoni sa larg jemi nje marrëdhënie normale qe te njohe edhe diplomat e universitetit shqiptar”, thotë ai.

Por, Bumç thotë se kryeministri Rama nuk ka tagër te diskutoje ne Beograd çështjen e Kosovës.“Mendoj qe duhet te kufizohet ndaj çdo tundimi per te folur ne emër te shqiptareve, nuk flet ne emër te shqiptareve. Do te ishte kundër interes tone kombëtar nese do e bënte këtë. Kosova është shtet sovran, i pavarur, janë politikanet e saj qe negociojnë ne emër te Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë flet ne emër te Shqipërisë”.Pas ngjarjeve qe shoqëruan ndeshjen e futbollit Shqipëri-Serbi, opozita i kërkoi kryeministrit Rama te anuloje vizitën ne Beograd si kundërpërgjigje ndaj deklaratave te papranueshme te politikaneve serbe

Presheva i uron mirëseardhjen Ramës 

 Ditën e diel, qytetarët e Preshevës u zgjuan me përgatitje për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.Posterë dhe pankarta që i urojnë mirëseardhjen kreut të Qeverisë shqiptare, janë vendosur në rrugë. “Mirë se vjen kryeministër”, shkruajnë banerat, e vendosura në prag të vizitës së Ramës në Serbi këtë të hënë.

Të martën kryeministri Rama do të vizitojë Preshevën, ku do të takohet me udhëheqësit shqiptarë, ndërkohë që do të ketë edhe një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës. Mediet serbe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së tij në Preshevë, duke cituar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq të ketë thënë se nuk është problemi te vizita e Ramës në Preshevë, por te mesazhi që ai do të përcjellë.“Presheva Jonë” shkruan se nuk do të mungojë vizita e Ramës në Preshevë dhe se tashmë, në “qytetin e shqiptarëve janë në përfundim e sipër përgatitjet për pritjen e kryeministrit të tyre”.

“Presheva sot është zgjuar me atmosferën, frymën e vizitës së Edi Ramës, ku fotografia e tij ka pushtuar qytetin duke filluar nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në qendër, komuna e Preshevës në Sheshin e Dëshmorëve të UCPMB-së. “I dëshirojmë mirëseardhje kryeministrit tonë, Edi Rama, në Kosovën Lindore”, i ka thënë agjencisë “Presheva Jonë” Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit.

 

Nesër vizita historike e Ramës në Beograd

Nga gazeta kosovare “Bota Sot”

Nesër vizita historike e Ramës në Beograd

Nesër do të jetë dita e shumëpritur e vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi. Kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar, që pas asaj të 68 viteve më parë të liderit komunist Enver Hoxha në Jugosllavi.Rëndësia e kësaj vizite është rritur, sidomos pas ndeshjes kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku tifozët serbë hynë në fushë dhe dhunuan ekipin e kombëtares shqiptare.Pikërisht për këtë incident, vizita që ishte parashikuar për në 22 tetor, u shty për në datën 10 nëntor. Këtë fundjavë është bërë publike edhe agjenda e kreut të qeverisë shqiptare në Beograd.

Rama nuk do të takojë Presidentin e Serbisë

Kryeministri dhe delegacioni shqiptar do të nisen nga aeroporti “Nënë Tereza” në orën 8.30, dhe pas një ore pritet të mbërrijë në aeroportin e Beogradit. Më pas Rama do të zhvillojë takimin e parë në orën 11:00 me homologun serb, Aleksandër Vuçiç dhe pas 10 minutash, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.

Në 12 e 15 minuta, do të mbahet konferenca për shtyp e kreut të qeverisë së Tiranës dhe Beogradit. Axhenda vijon më tej me një takim të shefit të qeverisë shqiptare në orën 16:00 me gazetarët. Pasditja rezervon gjithashtu axhendë të ngjeshur, ku Rama do të jetë i pranishëm në forumin e biznesit serbo-shqiptar dhe ora 18:00 e zhvendos kryeministrin në Bashkinë e Beogradit.

Por edhe pse është diskutuar shumë, në agjendë nuk përfshihet ecja në këmbë e kryeministrit Rama në rrugët e Beogradit. Ajo që mësohet është gjithashtu se, Rama nuk do të takohet me presidentin Timosllav Nikoliç.

Udhëtimi drejt Preshevës

Vizita në Presheve pritet të kryhet ditën e martë. Nisja për në Presheve do të bëhet në orën 05:00 të mëngjesit. Pas mbërritjes në Preshevë, agjenda përcakton se në orën 11.00, kryeministri Rama do të takojë kryetarin e komunës.

Presheva ka nisur përgatitjet që mëngjesin e sotëm, për pritjen e kryeministrit shqiptar. Ditën e diel, qytetarët e Preshevës u zgjuan me përgatitje për vizitën e kryeministrit Edi Rama.

Postera dhe pankarta që i urojnë mirëseardhjen kreut të qeverisë shqiptare, janë vendosur në rrugë. “Mirë se vjen kryeministër” shkruajnë banerat, e vendosura në prag të vizitës së Ramës në Serbi këtë të hënë.

200 gazetarë të akredituar për vizitën e Ramës

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi ka ngjallur interesin jo vetëm të medias shqiptare dhe serbe, por edhe të asaj ballkanike dhe evropiane.

Siç bën të ditur për “Presheva Jonë”, Suzana Vasileviç, shefe e kabinetit të qeverisë serbe, rreth 200 gazetarë janë akredituar për të ndjekur këtë vizitë. 50 është numri i gazetarëve shqiptarë që do të ndjekin hap pas hapi vizitën e kreut të qeverisë shqiptare, dhe do ta transmetojnë atë për qytetarët shqiptarë.

Rama në Beograd, “Vatra”: Ja çfarë duhet ti kërkosh Vuçiç

Lëvizja “Vatra” ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që me homologun e tij serb të diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e shtatë pikave që do të përmirësonin sadopak jetën e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas një komunikate të ‘Vatrës’, gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është shumë e vështirë dhe pikërisht kjo vizitë nga autoritet shqiptare duhet të shfrytëzohet për të kërkuar që në mënyre urgjente të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti serb në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Lëvizja “Vatra” ka hartuar disa kërkesa që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës, të cilat kërkesa, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duhet t’i diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm të zbatohen, nga homologu i tij serb.

Shtatë pikat e shoqatës “Vatra”:

1- Serbia duhet të garantojë zhvillimin e barabartë ekonomik të Rajonit të Kosovës Lindore duke nxitur punësimin e shqiptarëve e mbi të gjitha punësimin e të rinjve, ngase kjo pjesë është ndër më të varfëruat në gjithë kontinentin e Evropës. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare të vet Serbisë. Këto statistika tregojnë se në pjesën e Serbisë pa Kosovën Lindore, të papunë janë vetëm 15 % të qytetareve, kurse në Kosovën Lindore, ku shumica janë shqiptarë, të papunë janë 95%.

2- Serbia t’i ndalë arrestimet politike të bazuara në akuzat e fabrikuara e të montuar nga kuzhinat e pushtetit serb. Të ndalet ndjekja dhe maltretimi i ish-ushtareve të UÇPMB-së që po vazhdon tash e 13 vjet.

3-Të bëhet çmilitarizimi i menjëhershëm i Kosovës Lindore dhe heqja e bazave ushtarake siç është: Kampi ushtarak i Cepotini, kampi në fshatin Ramabuqe dhe kampi ushtarak në lagjen Litesh në Zarbicë, e tjerat të vendosura në Kosovën Lindore, sepse po përhapin frikë te banorët, që ndikon direkt në moskthimin e tyre. Të zbardhet vrasja enigmatike e Komandant “Lleshit” Ridvan Qazimi.

4- Të fillojë implementimi i marrëveshjes së Konçulit dhe të zbatohet vullneti i përfaqësuesve politikë i dalë nga platforma politike e tre kuvendeve të komunave shqiptare në vitin 2006. Të garantohet lëvizja e lire e qytetarëve dhe e mallrave nga Kosova e Shqipëria.

5- Të mundësohet kthimi i menjëhershëm e të dëbuarve nga Kosova Lindore, të cilët forcat serbe i dëbuan me dhunë mbi 20.000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në vitin 1999-2000, të cilët sot e kësaj dite nuk janë lejuar të kthehen mbi 15.000 banorë. Njëkohësisht t`u garantohet siguri në pronat e veta dhe ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga ushtria e Shtetit serb.

6- Të lejohet hapja e universitetit në gjuhen shqipe në Kosovën Lindore.

7- Të lejohet përdorimi i simboleve dhe të respektohet dy gjuhësia, të lejohet që në Kosovën Lindore të punohet me plan program arsimor të Shqipërisë dhe Kosovës. Të lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në aspekt zyrtar dhe të kthehet lapidari menjëherë në qendër të Preshevës.

/Marrë nga express/

Milo: Rama s’ka mundësinë që të ketë një vizitë të suksesshme në Beograd 

E parë nën vështrimin e një historiani, vizita e kryeministrit Rama në Beograd nuk është se konsiderohet shumë e suksesshme.

Historiani Paskal Milo ka deklaruar në Ora News se nuk duhet të ushqejmë iluzione se kryeministri Rama të ketë mundësitë që të kthehet nga Beogradi me një vizitë të suksesshme. Sipas Milos edhe pse është një vizitë delikatë ajo do të bëhet normalisht dhe do tentojë që të normalizojë marrëdhëniet dhe jo t’i zhvillojë ato.

“Edhe kjo një vizitë që do të bëhet, ishte mirë mos të kishte ndodhur incidenti, por ajo do të bëhet do shkojnë, do vijnë. Për të qenë i sinqertë, është një vizitë delikate për të qenë. Është një vizitë ku pritshmëria nuk është dhe nuk do të jetë ajo që para se të ndodhtë incidenti.Kjo vizitë do tentojë të normalozojë marrëdhëniet, nuk do i zhvillojë, por do tentojë t’i rikthejë në atë shtartin normal, në dukje që kanë qenë para incidentit. Të mos ushqejmë iluzione se kryeministri Rama të ketë shancin dhe mundësitë që të kthehet nga Beogradi me një vizitë të suksesshme, se vizitat e suksesshme në radhë të parë maten me çfarë arrihet. A do të ketë marrëveshje që do të nënshkruhen? Sepse në marrëdhëniet midis dy vendeve ka një problematikë të gjerë, ka projekt-marrëveshje që duhej të nënshkruheshin, me qëllim që t’i japin zhvillim jo vetëm marrëdhënieve politike, por ekonomike, shoqërore, arsimore etj.”, tha Paskal Milo.Historiani, tha se më tepër sesa vizita, rëndësi ka mesazhi që kryeministri Rama do të japë aty, dhe sipas Milos, Rama do të japë mesazhet e duhura.

“Ajo që është më e rëndësishme janë mesazhet që do jepen aty. Une besoj se kryeministri Rama do japë mesazhet e duhura, jo vetëm për të shprehur atë vullnet që ka shprehur në emër të qeverisë shqiptare, që Shqipëria ka vullnet për të zhvilluar marrëdhëniet, që të bashkëpunojnë, por edhe për faktin që jemi dy vende që trokasin në dyert e BE dhe mund të ecim para vetëm duke pasur marrëdhënie të mira.”

SHKARKO APP