“POLITIKANI I VITIT 2021”-EDI RAMA
Si çdo vit, edhe këtë herë, KOHA JONE shpall disa çmime dhe Njeriun e Vitit. Kjo vjen nga tradita e hershme që kjo media ka patur që nga fillimi i saj. Ndërkohë çmimet vijnë si rrjedhojë e votimit online nga dhjetra mijë lexues në mbarë botën shqiptare
/REDAKSIA KOHA JONE/
POLITIKANI I VITIT 2021-EDI RAMA
-Edi Rama ka qenë një prej analistëve më të suksesshëm dhe popullorë në gazetën “Koha Jonë”, ndër vitet 1992-1997. Ai u masakrua natën e 22 janarit 1997 nga falangat e ish-presidentit të kohës Sali Berisha për shkak të qëndrimeve të tij antiregjim. Më vonë Edi Rama mori pushtetin dhe ka krijuar një “regjim” tjetër nga i Sali Berishës.
-Edi Rama me një zhdërvjelltësi të paparë mikloi Lulzim Bashën dhe e nxori nga çadra në maj 2017 dhe i dha ca qoka pushteti, duke e mbytur me “mjaltin” e qeverisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 përdori çdo mjet regjimi dhe ia mori prapë për të tretën herë pushtetin PD-së, një parti pa lider që tashmë është kthyer në “lesh arapi”.

Edi Rama ka lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me Linda Ramën dhe kanë tre fëmijë, Gregun, Rean dhe Zahon.
Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011, i përkthyer në turqisht, serbisht e rumanisht. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë.
Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve.
Edi Rama ka qenë një prej analistëve më të suksesshëm dhe popullorë në gazetën “Koha Jonë” ndër vitet 1992-1997. Ai u masakrua natën e 22 janarit 1997 nga falangat e ish-presidentit të kohës Sali Berisha për shkak të qëndrimeve të tij antiregjim.
Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërisë, ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë postkomuniste, Edi Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri, ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në vend.
Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores, ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit, duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën drejtimin e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja, projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden, World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.
Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013 bashkë me Ilir Metën, ku me votat e LSI arriti të rrëzonte Sali Berishën nga pushteti.
Edi Rama me një zhdërvjelltësi të paparë mikloi Lulzim Bashën dhe e nxori nga çadra në maj 2017 dhe i dha ca qoka pushteti, duke e mbytur me “mjaltin” e qeverisë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 përdori çdo mjet regjimi dhe ia mori prapë për të tretën herë pushtetin PD-së, një parti pa lider që tashmë është kthyer në “lesh arapi”.
Edi Rama po futet në historinë e Kombit shqiptar si një prej udhëheqësve më të mëdhenj të saj, duke u renditur mes Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhes dhe Sali Berishës.
Votuesit online i kanë dhënë votat maksimale.
KOHA JONË SONDAZH

