Prapaskenat e “bllokimit” të Kadastrës, Monitor: Në Shqipëri 85% e pronave janë të regjistruara me dosje të plotë

Për agjentët imobiliarë, sistemi i ri i kadastrës për shqyrtimin e aplikimeve sipas algoritmit dështoi. Masa ishte e parakohshme, teksa u zbatua pa u përfunduar dixhitalizimi i dosjeve të pronave. Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se nga muaji korrik po përballen me vonesa të gjata që kanë krijuar bllokim të shitjeve. Vonesat me aplikimet pranohen edhe nga noterët. Por për Agjencinë e Kadastrës Shtetërore, pas disa vonesave që u hasën në fillim, shërbimi është normalizuar. ASHK vlerëson se ndryshimi i sistemit ishte i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. Në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara në 2021 nga Kadastra Shtetërore, vetëm 85% e pronave janë të regjistruara me dosje të plotë.

Nëse të nevojitet të paraqitesh në një zyrë noteriale për aplikim për shërbim te Kadastra, qoftë për nxjerrjen e një kartele të rifreskuar të pasurisë së paluajtshme apo për depozitim të kontratës së shitblerjes, noterët të paralajmërojnë se do të duhet të presësh mbi javë për kthim përgjigje. Noterët të shpjegojnë se vonesat po shkaktohen nga ndryshimi i sistemit për shqyrtimin e aplikimeve.

Pas datës 3 korrik, të gjitha aplikimet që bëhen nëpërmjet e-Albania dhe zyrave noteriale, sipas noterëve dhe agjentëve imobiliarë, grumbullohen në divizionin e quajtur “kulla e kontrollit” e krijuar nga Agjencia e Kadastrës Shtetërore (ASHK) që më pas përzgjidhen për shqyrtim sipas algoritmit për punonjës të ndryshëm nga rrethet.

“Kërkesa jote për rifreskim kartele mund të rastisë të shqyrtohet nga një punonjës nga Tropoja, për këtë arsye mund të vonojë më tepër se afati i përcaktuar prej dy javësh. Mund të aplikohet nëpërmjet shërbimit ‘fast’ (shërbim i shpejtë për të cilin paguhet dyfishi i tarifës) që në shumicën e rasteve nuk vonon”, pohoi një nga noterët e zyrave noteriale pranë Komunës së Parisit.

Drejtuesi i zyrës së shtypit të ASHK-së, z. Edmond Arizaj, tha për “Monitor” se arsyeja që u krijuan vonesa tek aplikimet e qytetarëve ishte nga ndryshimi i sistemit për shqyrtimin e tyre. Z. Arizaj pohon se situata është normalizuar dhe afati për përgjigjet sipas llojit të shërbimit që kërkon qytetari varion nga 5 deri në 21 ditë, ndërsa shërbimet e sistemit “fast” janë të gjitha brenda 24 orësh.

“Siç edhe është shpjeguar disa herë, riinxhinerizimi i sistemit në Kadastër, koha që ai kërkon të përsoset, sepse duhet kuptuar që sistemi nuk është kompjuter, makineri që merr komandën dhe vazhdon.

Janë njerëz, specialistë që kanë nisur të punojnë me një tjetër logjikë. Është një epokë e re në shërbimin ndaj qytetarit dhe në luftën kundër korrupsionit e mitmarrjes, që si çdo tranzicion, has edhe kundërshtinë e së vjetrës, që ndoshta tashmë sheh se formula ‘qeveria bën ligje, ne gjejmë shtigje’, nuk funksionon më. Sigurisht që ASHK kupton çdo ankesë, si nga ata që vërtet duan shërbimin shpejt dhe me cilësi, si nga ata që qajnë përfitimet e humbura, por kërkon sadopak mirëkuptim nga të parët, e mundësisht jo panik pa asnjë bazë. Gjithsesi, e rëndësishme është që sistemi vazhdon e çlirohet çdo orë që kalon”.

Ndërsa për njësinë e ngritur në kadastër si “kulla e kontrollit” dhe për funksionin e saj në ndihmë të procesit, z. Arizaj tha se kjo njësi nuk ekziston dhe se ASHK, si çdo institucion, ka auditin e saj të brendshëm.

Në lidhje me situatën e krijuar me aplikimet e ASHK-së më datë 19 korrik, edhe AKSHI sqaroi për “Monitor” skenarin e ri të trajtimit të tyre. “Pas 3 korrikut ka një skenar në sistem, siç u bë e ditur edhe nga kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj.

Kryeministri Rama e bëri të qartë në daljen në konferencë se do të veprohet në bazë të algoritmit të sistemit dhe të rasteve që do të vijnë për t’u trajtuar nga rrethe të ndryshme të vendit. Nuk janë të gjitha të dhënat të dixhitalizuara, ndaj dhe shërbimet janë me kohë procesimi. Ndryshe do të dilnin dokumentet hipotekore si certifikata familjare. Ky fakt dihet”, sqaroi zyra e informimit nga AKSHI. /Monitor/

SHKARKO APP