Presidenca: Data e zgjedhjeve në Peshkopi korrespondon me afatet ligjore
Pas pretendimeve të Partisë Socialiste se dekreti i Nishanit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Dibër, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, ka reaguar Presidenca. Në një dalje për mediat, zëdhënësi është shprehur se data e zgjedhjeve korrespondon me të gjitha afatet ligjore dhe është në përputhje me nenin 10 të Kodit Zgjedhor.
“Shkresa njoftuese nga gjykata kushtetuese pas vendimit për rrëzimin e kërkesës së Shukri Xhelilit ka mbërritur në Presidencë në datën 1 gusht. Jemi informuar se data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 1 gusht 2016. Nga ku fillon përllogaritja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe datat janë 4 shtator ose 11 shtator, 2016. Data e përcaktuar në dekret korrespondon me afatet ligjore të nenit 10 pika 3 të Kodit Zgjedhor. Brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit zyrtar, presidenti dekretoi në datën 2 gusht 2016, datën e zgjedhjeve për Bashkinë Dibër. Pretendimet e Partisë Socialiste janë të pavërteta. Presidenti kërkon zhvillimin e lirë, të drejtë dhe të ndershëm të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Dibër”, tha zëdhënësi i Presidencës.
KOHA JONË SONDAZH

