Presidenca shqiptare e KS, ministri Hasani: Krijim i aleancës humanitare të sektorit privat, 300 milionë njerëz janë në nevojë për ushqim
Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit të OKB, dha sot në New York një deklaratë për mediat për “Nxitjen e Partneritetit Publik-Privat në trajtimin e çështjeve humanitare”, iniciativë e Shqipërisë.
“Sot, në cilësinë e Presidencës së Këshillit të Sigurimit për muajin shtator, Shqipëria organizon një Debat të Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me titull “Nxitja e Partneritetit Publik-Privat”. Do të jetë kënaqësi dhe nder të kryesoj këtë mbledhje, e para e Këshillit të Sigurimit për këtë çështje. Kjo ndodh për një arsye madhore: bota po përballet me një nivel të paprecedentë nevojash humanitare të nxitura nga shumë faktorë, duke përfshirë varfërinë, paqëndrueshmërinë, konfliktin dhe ndryshimet klimatike”, theksoi ai.
Ministri tha se raportet tregojnë se rreth 300 milionë njerëz janë në nevojë të madhe dhe shumë prej tyre zgjohen duke mos ditur nëse dhe kur do të hanë vaktin e tyre të ardhshëm. ”Në një situatë humanitare kaq komplekse dhe gjithnjë në zhvillim, bashkëpunimi me sektorin privat është bërë jetik. Nuk është një opsion, është një domosdoshmëri. Jemi të mendimit se sektori privat mund të sjellë burime shtesë, por edhe ekspertizë, teknologji, kërkim dhe zhvillim, si dhe aftësi operacionale për të arritur një reagim ndërkombëtar më efektiv dhe më produktiv”, tha ministri Hasani.
Hasani gjithashtu njoftoi krijimin e aleancës humanitare të sektorit privat, si një organ koordinues për t’iu përgjigjur krizave humanitare që do të shërbejë si një pikë unike hyrëse për sektorin privat në arkitekturën humanitare, përfshirë OKB-në.
“Nëpërmjet Aleancës, ne synojmë të angazhojmë korporata dhe filantropi, së bashku me agjencitë kryesore të OKB-së dhe shoqërinë civile, për të shënuar dhe mbledhur të gjithë përshtypjet dhe komentet mbi boshllëqet kryesore dhe fushat për përmirësim në reagimin ndaj krizave, duke eksploruar mekanizmat e mundshëm për të zyrtarizuar rolin e korporatave dhe filantropive në ekosistemin e reagimit ndaj krizës, për të përmirësuar përdorimin e burimeve dhe rritur përpjekjet për reagim”, u shpreh ai.