Presidenti Begaj kujton tërmetin e 26 nëntorit: Tragjedi e vërtetë njerëzore!
Presidenti i Republikës Bajram Begaj me anë të një postimi në Facebook ditën e sotme ka dërguar një mesazh ngushëllimi për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, teksa tha se ngjarja ishte një tragjedi e vërtetë njerëzore.
Postimi i plotë:
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ishte tërmeti më i madh që goditi vendin tonë në 40 vjet, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë njerëzore si dhe dëme materiale të pallogaritshme. Mendimet tona shkojnë në kujtim të 51 viktimave të asaj ngjarjeje të dhimbshme.
Me mijëra shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, dhanë gjithçka nga vetja për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga pasojat e tërmetit. Kontributi dhe forca e treguar nga populli shqiptar për të përballuar si një familje e madhe ato ditë të vështira, ende sot më emocionojnë e më japin shpresë për gjërat e mëdha që mund të bëjmë kur ekziston vullneti i përbashkët.
Shqipëria do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse të gjitha shteteve që kontribuan në përballimin e pasojave të tij, kontribut që ishte jetik për mijëra familje.