Presidenti Begaj pret kryeministrin grek: Njohja e pavarësisë së Kosovës, i shërben sigurisë së rajonit
Presidenti Bajram Begaj, priti këtë mbrëmje kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ku vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve, si edhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që populli grek i kanë dhënë shqiptarëve. Po ashtu kreu i shtetit shkruan në një postim në facebook, se Kosova është një realitet politik dhe se njohja e pavarësisë së saj nga ana e Greqisë, i shërben forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Postimi i plotë nga Presidenti Begaj
Prita sot Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Niko Dendias. Gjatë takimit, vlerësova marrëdhëniet shumë të mira e të partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe ndihmën e vyer të Greqisë ndaj Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian.
Në tërësinë e marrëdhënieve dy palëshe, praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi, i konsideroj një urë të fortë dhe të vërtetë miqësie e bashkëpunimi, të cilën jam gati ta forcoj e promovoj më tej.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë zhvilluar shumë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. I nënvizova Kryeministrit Mitsotakis se të gjitha çështjet e hapura, të vjetra apo të reja qofshin, do të trajtohen me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimit të reciprocitetit, në respekt të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe së drejtës ndërkombëtare, si dy aleatë strategjikë në NATO.
Bisedova me Kryeministrin Mitsotakis edhe mbi mundësinë e rritjeve të investimeve të kapitalit grek në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare.
Vlerësova gjithashtu frymën e re të bashkëpunimit të Qeverisë dhe autoriteteve greke me Kosovën si dhe nënvizova se Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.