Presidenti Begaj pret ministrin turk Fidan: Turqia partner i natyrshëm dhe historik

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet mes dy vendeve, forcimin e tyre, dhe zhvillimet rajonale.

Kreu i Shtetit deklaroi se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë strategjike dhe kanë një miqësi tradicionalisht shumë të mirë. Ai i shprehu diplomatit Fidan falënderimet për ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit, por edhe për investimet e tjera në vendin tonë.

Për sa u përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti Begaj vlerësoi: “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme për politikën shqiptare, që garantojnë paqe, siguri, stabilitet demokratik në rajon, si dhe janë parakushte për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”.

Presidenti e vlerësoi rolin dhe kontributin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor si një partner i natyrshëm e historik për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Gjithashtu, ai e vlerësoi mbështetjen që Turqia jep për integrimin e Kosovës në organizmat rajonale dhe globale, si dhe lobimet e saj të fuqishme për njohjen e mëtejshme të Kosovës.

SHKARKO APP