Presidenti Begaj takim me kryeministrin Xhaferi: Krenar për ndikimin dhe kontributin e faktorit shqiptar në Ballkan
Presidenti Bajram Begaj ndodhet në Prishtinë, ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit shqiptar, shkruan se ndihet krenar për ndikimin dhe kontributin e faktorit shqiptar në Ballkan.
”Takim i frytshëm me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në Prishtinë. Krenar për ndikimin dhe kontributin e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne jemi një forcë e rëndësishme që promovon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”,-shkruan Begaj.
Begaj ndodhet në Prishtinë ku mori pjesë në forumin ndërkombëtar “Gruaja, Paqja dhe Siguria” të organizuar nga kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani. Një ditë përpara se të votohet për anëtarësinë e saj në Këshillin e Europës, Begaj u shpreh se Shqipëria e ka për detyrë që të jetë një avokate shumë e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.