Presidenti Begaj takon arbëreshët në komunat e Kozencës: Ju falenderoj që ruani dhe trashëgoni gjuhën shqipen
Presidenti Bajram Begaj, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kalabri u ndal në komunat e Acquaformosës dhe Lungros në provincën e Kozencës. Në Acquaformosa është hera e parë që një Presidenti i Shqipërisë zhvillon një vizitë dhe, për këtë arsye, drejtuesit vendor dhe komuniteti e konsideruan ardhjen e Presidentit Begaj një nderim të veçantë.
Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mikpritjen arbëreshe dhe përpjekjet e bëra ndër shekuj për të ruajtur si pasuri të paprekshme trashëgiminë, ndërsa përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kalabrisë dhe Italisë.
“Unë jam këtu për të ofruar mbështetjen time si President i Republikës së Shqipërisë, për të bërë detyrën time kushtetuese, për të mbrojtur e për t’ju gjendur të gjithë shqiptarëve kudo ata janë, jetojnë e punojnë. Është kënaqësi e madhe që gjej një mirëkuptim të jashtëzakonshëm nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, nga Presidenti i Italisë, Matarella, dhe të gjithë zyrtarët e tjerë italianë, të cilët shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme për vlerat e shtuara të komunitetit arbëresh dhe shqiptar, të cilët kanë ndërtuar jetën dhe janë integruar shumë mirë në shoqërinë italiane”.
Në qendër të qytetit, ku ngrihet dhe busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i bashkisë dhe arbëreshët e Acquaformosës. Ai vizitoi dhe kishën San Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, një ndër më të rrallat në rajonin e Kalabrisë.
Ndërsa nga Ungra, ndalesa e radhës e kësaj vizite, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkim, sipas porosisë së Gjergj Kastriotit, siç u shpreh ai: “Po te jemi bashkë, asgjë nuk na thyen. Po të jemi të ndarë, edhe një fëmijë na mund”. Presidenti Begaj vizitoi Eparkinë e Lungros, ku bisedoi me ipeshkvpin, Imzot Donato Oliverio të cilit i shprehu vlerësimin për rolin e jashëtzakonshëm që ka luajtur kisha në mbrojtjen e vlerave tona identitare.
Gjatë takimeve me drejtuesit vendor, komunitetin arbëresh dhe klerikët e komunave të provincës së Kozencës, Kreu i Shtetit theksoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve, shkëmbimit të vizitave mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.
“Së pari, është detyrimi im si President i Republikës së Shqipërisë për t’ju shprehur mirënjohjen time dhe të të gjithë popullit shqiptar për atë çka bëni për ruajtjen e identitetit tuaj. Të parët tuaj, pasardhës të Skënderbeut, ikën nga viset shqiptare jo për shkak të dëshirës për t’u larguar nga atdheu, u larguan nga atdheu i tyre për shkak të pushtuesit dhe erdhën dhe gjetën një derë të hapur këtu në Italinë mike”.
Kreu i Shtetit premtoi vijimin e angazhimit të përbashkët për ruajtur dhe promovuar atë çfarë është përcjellë deri tani nga arbëreshët, gjuhën në veçanti. “Nuk mund të ketë një komb pa gjuhën e tij, pa ruajtur vlerat e identitetit kombëtar. Ju falënderoj nga zemra për atë çka bëni, që jo vetëm të ruani dhe promovoni gjuhën shqipe, por edhe ta trashëgoni te brezi i ri. Është detyra jonë të bëjmë presionin e duhur që gjuha shqipe të jetë e detyrueshme për shkollat”,-deklaroi Presidenti i Republikës.