Presidenti Begaj viziton Vermoshin: Shqipëria, befasuese nga Konispoli në Vermosh
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vizituar zonën turistike të Vermoshit, në qarkun e Shkodrës. Në një postim në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit vlerësoi bukuritë natyrore të Alpeve Shqiptare, duke theksuar se Shqipëria mbetet “befasuese nga Konispoli deri në Vermosh”.
“Ujëvara e Gjamës dhe ajo e Selcës janë dy mrekulli natyrore që ruhen me dashurinë e pastër për natyrën nga malësorët e kësaj zone. E bardhë është zemra e tyre, e qashtër natyra”, shkroi Begaj.
Vitet e fundit, Vermoshi është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara turistike, jo vetëm për klimën e freskët malore, por edhe për adhuruesit e alpinizmit. Investimet në rikualifikimin urban, rindërtimin e rrugëve dhe ndërtimin e Qendrës së Turizmit kanë transformuar tërësisht qendrën e fshatit.
Shtëpitë tradicionale alpine, dikur të rrënuara, janë kthyer në bujtina mikpritëse, duke i dhënë zonës pamjen e bujtinave alpine zvicerane. Vendosur në një luginë akullnajore, në 1100 metra mbi nivelin e detit, Vermoshi mbetet fshati më i madh dhe një prej perlave të Alpeve Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

