Presidenti i Malit të Zi kundër ”Open Balkan” dhe Abazoviçit: Na duhet Bashkimi Europian, jo nisma alternativë
Edhe pse kryeministri shqiptar i Malit të Zi Dritan Abazoviç po mbështet nismën ”Open Balkan”, presidenti i vendit Milo Gjukanoviç ka përsëritur qëndrimin e tij kundërshtues. Për të si Mali i Zi, por edhe shtetet e rajonit duet të punojnë për anëtarësimin në BE e jo të gjejnë alternativat, siç e quajti ai Ballkanin e Hapur.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për alternativë, kemi nevojë për anëtarësim. Është krejtësisht e natyrshme që ne të vazhdojmë procesin e negociatave me BE-në me shpejtësi të plotë. Unë besoj se kjo Qeveri do ta bëjë këtë. Së shpejti do të zhbllokojmë procesin e negociatave në fushën e sundimit të ligjit dhe kështu do të fillojmë mbylljen e kapitujve të negociatave. Me pjesëmarrjen e plotë në Procesin e Berlinit do t’i japim vetes një moment të mirë dhe se Mali i Zi do të vlerësojë avantazhin që e ndërtuam në periudhën paraprake dhe u bëmë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së”,-tha Gjukanoviç pas takimit që pati të martën me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, “Ballkanin e Hapur” nuk e kanë përkrahur as Kosova e as Bosnjë-Hercegovina. Pjesë e nismës është Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.