Presidenti i Republikës zhvillon një takim me Prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane
Presidenti Nishani, në fillim të fjalës së Tij, rezervoi vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen ndaj shtetit Italian, institucioneve të vendit fqinj të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve kanë mbështetur fuqimisht Shqipërinë në proçeset demokratike, konsolidimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin institucional. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit shprehu falënderimet e Tij dhe popullit shqiptar për avokatinë e shkëlqyer që Italia, vendi fqinj dhe mik i Shqipërisë, ka bërë në raport me proçeset integruese dhe euro-atlantike ku është angazhuar vendi ynë.
Një vëmendje të veçantë në takim zuri diskutimi i hapur midis dy bashkëbiseduesve në lidhje me bashkëpunimin e deritashëm dhe atë në vijim në luftë kundër krimit të organizuar, mafias dhe formave të ndryshme të krimit në përgjithësi. Ndër të tjera, Presidenti Nishani vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë përbëjnë një bazë të fortë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve ligjzbatuese në dy vendet respektive.
Kreu i Shtetit, në vlerësim të punës dhe arritjeve të Institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Llalla, shprehu vullnetin në tërësi që ekziston tek institucionet shqiptare për të luftuar krimin e organizuar. Njëkohësisht me këtë vlerësim, Presidenti Nishani kërkoi mbështetjen e Prokurorit Kombëtar të Antimafias Italiane, të institucioneve ligjzbatuese të shtetit Italian për vijuar dhe forcuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet ligjzbatuese në Shqipëri si dhe në dhënien e asistencës për rritjen e kapaciteteve të prokurorëve shqiptarë, çka gjeti miratimin e plotë të Prokurorit Roberti. Në këtë kontekst, “…nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit, firmosur sot, është një hap për t’u vlerësuar që shkon në favor të rritjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe që synon luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në Shqipëri, Itali dhe me gjerë” – u shpreh ndër të tjera Kreu i Shtetit.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se çelësi i suksesit në luftën ndaj krimit të organizuar, mafias dhe krimit në tërësi është bashkëpunimi efikas i institucioneve ligjzbatuese si dhe harmonizimi sa më i mirë i kuadrit ligjor midis dy vendeve tona.