Presidenti i YES: Mbështetja në politikë meritohet, dhe nuk dhurohet. Të rinjtë e LRI-së e kanë merituar këtë

 Joao Duarte Albuquerque, President i YES (Young European Socialist) , vlerëson rolin e Lëvizjes Rinore për Integrim në politikën Shqiptare. Në një intervistë ai flet për rëndësinë që ka pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjet politike. “Mbështetja në politikë meritohet, dhe nuk dhurohet, dhe të rinjtë e LRI-së e kanë merituar këtë”,- shprehet Albuquerqu.

 Cilat janë përshtypjet tuaja për Festivalin Botëror të IUSY-t që po zhvillohet këto ditë në Jalë?

Jam shumë i impresionuar nga ajo çfarë ka ndodhur këtu, dhe nga ajo çka LRI-ja ka arritur në organizimin e këtij kampi. Unë erdha përpara se kampi të niste, dhe kam parë gjithë progresin që është bërë dhe gjithë punën e fortë që aktivistët e LRI-së kanë bërë për organizimin e tij. Ishte diçka fantastike të shihje progresin dhe punën e bërë, dhe mendoj që nga feedback-u që kemi marrë nga pjesëmarrësit tanë dhe njerëzit që kanë udhëtuar nga e gjithë bota për të ardhur në Shqipëri kanë përshtypje shumë pozitive, dhe janë duke ja kaluar shumë mirë, duke zhvilluar diskutime shumë të frytshme politike, duke shkëmbyer eksperienca dhe gjithashtu duke shijuar dhe ditët e qëndrimit në një vend të bukur turistik si Jala.

 Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë?

Kjo është e treta herë që unë jam në Shqipëri, por në Jalë vij për herë të parë. Mund të them se rashë në dashuri me Shqipërinë që herën e parë që erdha këtu. Është një vend i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë të këndshëm dhe mikpritës dhe kujdesen që ti të ndihesh i mirëpritur sikur të ishe në vendin tënd. Kam miq shumë të mirë këtu dhe kam folur shumë për potencialin që ka Shqipëria, njerëzit e Shqipërisë, turizmin, dhe kulturën e saj, kështu që do t’ua rekomandoja të gjithëve që të vizitonin Tiranën, por edhe bregdetin e mrekullueshëm të Shqipërisë.

 Si do ta vlerësonit mbështetjen që LSI u jep të rinjve dhe anëtarëve të LRI në politikë?

Pata mundësinë të isha pjesë e Konventës që zhvilloi LSI vitin e kaluar. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, kishte energji të jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk kam parë një Konventë të tillë, përsa i përket energjisë pozitive të numrit të madh të pjesëmarrësve në këtë Konventë. Ne gjithashtu dimë që z.Meta dhe znj.Kryemadhi janë shumë të angazhuar në mbështetjen e të rinjve. Por gjithashtu dimë që mbështetja në politikë meritohet, dhe nuk dhurohet, dhe të rinjtë e LRI-së e kanë merituar këtë. Hapësirat dhe mundësitë që u janë krijuar të rinjve nga LSI për të qenë pjesë e Parlamentit dhe Këshillave Bashkiak ka ardhur për shkak të punës dhe angazhimit të LRI-së gjatë gjithë kësaj kohe, për të qenë zëri i ndryshimit në Shqipëri, për të promovuar politikat rinore dhe për të qenë modeli që të rinjtë presin nga partitë politike.

SHKARKO APP