Presidenti Meta citon Gjergj Fishtën në 150-vjetorin e lindjes: “Si Shqypnija vend nuk ka!”
Presidenti Ilir Meta kujton të madhin Gjergj Fishta, në 150-vjetorin e lindjes së tij. Meta e nis mesazhin e tij në “Facebook” me vargjet e Fishtës, ndërsa e cilëson atë si “mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë”.
Mesazhi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:
“Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!” 🇦🇱
Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, epikun e madh dhe shprehësin më të fuqishëm të idealeve atdhetare dhe demokratike, personalitetin e jashtëzakonshëm politik, artistik, diplomatik dhe klerik, veçanërisht gjatë periudhës kur jetoi, që si rrallë kush jetësoi vlerat e Rilindjes Kombëtare, iluministin e paharruar At Gjergj Fishta.
Shqiptaria e kulluar, që na la trashëgim, prej së cilës frymëzohemi dhe me të cilën krenohemi, angazhimi i jashtëzakonshëm për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përpjekjet brilante diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe vendosja, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e trojeve dhe sovranitetit të vendit, e bën rolin dhe kontributin e tij, një gurthemel të rëndësishëm të vetëdijes shqiptare.
“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.” 🇦🇱