Meta dekoron drejtuesit e organizatës “People to People International”

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” Presidenten e organizatës ndërkombëtare “People to People International”, Mary Jean Eisenhower, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Atlanta të SHBA, Ambasadorin Theodore Roosevelt Britton.

Presidenti Meta u dorëzoi dy personaliteve të shquara amerikane titullin e lartë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në promovimin dhe prezantimin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si drejtues të organizatës ndërkombëtare “People to People International”, që është e pranishme edhe në Shqipëri.


Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë  Ilir Meta:

“I dashur Ambasador Theodore Britton dhe zonja Mary Eisenhower,

Familjarë të nderuar, miq dhe të ftuar! Jam i gëzuar që kam mundësinë në cilësinë e Presidentit të Republikës të vlerësoj sot dy njerëz të shquar e të nderuar, një zotëri dhe diplomat të respektuar dhe një zonjë të nderuar, humaniste dhe partnere paqeje, e cila drejton një nga organizatat më të njohura në botë: ‘People to People International’, e themeluar nga gjyshi i saj, Presidenti amerikan Eisenhower, çlirimtari i Europës, i cili udhëhoqi forcat aleate që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore.

Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton nuk kanë nevojë për shumë prezantim, pasi ata janë njerëz që gëzojnë respekt të lartë e që nderohen në sferat e jetës ku janë përfshirë dhe angazhuar, veçanërisht si udhëheqës të “People to People International”, me prani edhe në vendin tonë.
Unë nuk pata asnjë hezitim kur gjeta propozimin në tryezën time për të vlerësuar këto dy personalitete me Dekoratën e “Nënës Terezës”, një nga medaljet më të larta që jepen në emër të humanistes me famë botërore, e cila ia kushtoi jetën e saj ndihmës për njerëzit në nevojë.

I dashur Ambasadori Britton,
Kontributi juaj shumë i vlefshëm si Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Shqipërisë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2006, detyrë që e keni mbajtur me nder dhe dinjitet, qenia anëtar i bordit të drejtuesve të ‘People to People International’, të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë si dhe në shumë organizata të tjera amerikane, por dhe arritjet që keni shënuar në jetën tuaj më inkurajuan t’ju vlerësoj me Dekoratën “Nënë Tereza”.

Ambasadori Britton ka treguar një interes të veçantë dhe mbetet një mik jetëgjatë dhe i vendosur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Dekorata e sotme e “Nënë Tereza” është një vlerësim tjetër që i jepet atij nga një vend, që e do shumë por edhe që e respekton atë pa fund.

E dashur zonja Eisenhower,
Edhe roli e vepra juaj është po aq e rëndësishme, jo vetëm ndaj paqes në botë, por sidomos kontributi juaj i prekshëm në promovimin e vendit tonë duke prezantuar e përmendur Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara dhe më tej gjatë fjalimeve dhe diskutimeve tuaja, që nëpërmjet misionit tuaj e kanë vendosur vendin tonë në hartën e botës për mirë.

Vizita juaj e parë në Shqipëri u bë në vitin 2000 për të ndihmuar chapterat shqiptarë të “People to People International”, të cilët ndihmuan shqiptarët e Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë periudhës së genocidit dhe më vonë ju vazhduat të vinit në këtë vend, me të cilin ratë shumë shpejt në dashuri.

Puna juaj me disa programe të “People to People International”, me Forumin Rinor Botëror, me Operacionin Ndërkombëtar të Fëmijëve, Nismën Globale të Paqes, me Kampin e Paqes, Nismat Globale të Minave me Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe shumë të tjera kanë përfshirë edhe shumë studentë shqiptarë e të rritur, të cilët janë përfshirë duke i hyrë një udhëtimi vendimtar për të vendosur paqen aq shumë të nevojshme në botë.

Znj.Eisenhower iu bashkua në vitin 1998 organizatës për të vazhduar e çuar edhe më tej ëndrrën e të gjyshit të saj, Presidentit. Eisenhower, – që më vonë u shndërrua edhe në vetë ëndrrën e saj. Ajo aktualisht është Presidente e “People to People International”.

Të nderuar Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton,
Do të doja të përftoja gjithashtu nga ky rast për të vlerësuar edhe degët e “People to People International, të cilët janë shndërruar në Ambasadorë të Mirë Shqiptarë dhe nëpërmet familjes suaj globale, kanë promovuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ju faleminderit shumë për të gjithë kontributin që keni dhënë për promovimin e vlerave më të mira të kombit tonë!

SHKARKO APP