Presidenti Meta dekoron figurat e shquara të kinematografisë: Përcollën mesazhe frymëzuese përtej fasadave

Në Presidencë nën kujdesin e kreut të shtetit, Ilir Meta u mbajt ceremonia solemne e vlerësimit të disa figurave të shquara të kinematografisë shqiptare. Presidenti ka vlerësuar regjisoren Xhanfize Keko së bashku me regjisorët Kristaq Dhamo, Andi Keko, Viktor Gjika dhe aktoren Edi Luarasi me dekoratën “Nderi i Kombit” për kontributin ndaj artit shqiptar.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të kinematografisë, të pranishëm në ceremoninë solemne, kreu i shtetit u shpreh se ata arritën të jepnin mesazhe të jashtëzakonshme, frymëzuese përtej fasadave të rreme ideologjike duke u paraqitur publikut filma të gdhendur në kujtesën e të gjithëve.

Gruan e parë regjisore shqiptare dhe themeluesen e Kinostudios shqiptare, znj.Xhanfise Keko (pas vdekjes)“Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë shtetërore, si një ndër themelueset e kinematografisë shqiptare dhe një nga figurat më të shquara të saj. Për talentin e spikatur dhe krijimtarinë me nivel të lartë artistik, si regjisorja e jashtëzakonshme e filmit për fëmijë, e cila vazhdon të ushqejë ndjenja dhe virtyte te fëmijët me filmat e realizuar shumë vite më parë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të kinematografisë shqiptare edhe sot e kësaj dite në festivale dhe takime ndërkombëtare filmi”;

Krijuesin regjisorial të filmit të parë artistik shqiptar, z.Kristaq Dhamo“Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributin e çmuar si regjisori i filmit të parë artistik në historinë e kinematografisë shqiptare dhe autori i shumë filmave me vlera të mëdha artistike. Me mirënjohje për meritat e mëdha si udhëheqës artistik i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, pedagog i një plejade regjisorësh të rinj dhe përfaqësimin e denjë të kinematografisë shqiptare në arenën ndërkombëtare”;

Një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, z.Endri Kekon (pas vdekjes)“Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë shtetërore, si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe regjisori më i shquar i filmit dokumentar, i cili ka lëvruar të gjitha gjinitë e tij. Për krijimtarinë me vlera të mëdha që na ka lënë trashëgim ku është përjetësuar jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë, ngjarjet madhore të vendit, rindërtimi e ndërtimi i Shqipërisë ndër vite, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të kinematografisë shqiptare në festivale dhe takime ndërkombëtare filmi”;

Aktoren e mirënjohur, znj.Edi Luarasi“Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributin e çmuar artistik në teatër dhe kinematografi, për interpretimet e spikatura, talentin e rrallë, zërin kumbues, karakterin e fortë dhe temperamentin plot energji me të cilat ajo e pasuroi dhe hijeshoi skenën dhe ekranin shqiptar. Si mishërim domethënës i kurajos qytetare, dashurisë për artin, lirisë dhe vlerave njerëzore, ajo përballoi me integritet të lartë moral sfidën e diktaturës, duke triumfuar mbi privimet dhe vështirësitë e kohës, duke gdhendur emrin e saj të nderuar përjetësisht në kujtesën e artdashësve shqiptarë”;

Si dhe regjisorin legjendar Viktor Gjika (pas vdekjes) “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Në vlerësim të vlerave kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”.

SHKARKO APP