Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm. Të monitorojmë funksionimin e saj
Presidenti Ilir Meta në një prononcim për mediat nga Elbasani ka folur në lidhje me bërjen funskionale të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i Shtetit tha se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet më të rëndësishme në vend.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe do të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, si në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që vendi mos mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, por ka ende punë për të patur një gjykatë plotësisht funksionale”, tha Meta.
Më tej, Kreu i Shtetit ka dhënë edhe një mesazh për anëtarët e rinj të kësaj gjykate.
“Për presidentin funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësore dhe unë shpresoj që për të gjithë anëtarët e kësaj gjykatë që janë bërë pjesë e saj dhe do të bëhen pjesë të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e këtij institucioni, për shtetin e së drejtës, për të drejtat e qytetarëve, për të mbrojtur demokracinë. Unë do të mbështes pavarësinë e këtij institucioni dhe pavarësinë institucioneve të tjera”, tha ndër të tjera Presidenti Ilir Meta.
KOHA JONË SONDAZH

